Ish-diplomati, Blerim Canaj, vlerëson se Partia Demokratike e Kosovës nuk dëshiron që brenda listës për zgjedhjet e 7 qershorit ta ketë edhe kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj.
Canaj, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se nuk beson që refuzimi ndaj Limajt ka ardhur për mungesë kërkese reale, por më shumë si përpjekje për t’u arsyetuar para elektoratit të partisë.
Sipas tij, partitë politike që synojnë rritjen e votave duhet të jenë të hapura për bashkëpunim me individë dhe subjekte që i konsiderojnë të afërta politikisht.
Canaj, mes tjerash, kritikoi qasjen e PDK-së ndaj Limajt, duke thënë se partia nuk është treguar mjaftueshëm serioze dhe korrekte në këtë raport.
“Kam frikë që jo – t’ju them të drejtën për shkak se thonin se nuk kanë kërkesë dhe mendoj se ky është arsyetimi – disi ju duhej që të arsyetoheshin para elektoratit të tyre që e dëshironin kthimin e Limajt, në fund të ditës partitë që kanë nevojë për vota dhe e dëshirojnë ngritjen e votave do të duheshin që ata të bënin ofertat e individëve, mekanizmave e subjekteve që i ndjejnë të afërta. Në këtë kontekst po e them se PDK-ja më është dukur jo sa duhet serioze dhe jo sa duhet fer në raport me zotëri Limajn – së paku deri më tani. Nuk po e shoh se është interes partiak më shumë po kalkulohen interesat e individëve. Po të ishte interes partiak do të kishin mësuar diçka nga e kaluara nuk e besoj që dikush brenda PDK-së e ka pasur fuqinë e zotëri Thacit dhe ai kur ka dashur të fitojë zgjedhjes ka afruar njerëz e subjekte politike dhe i ka hyrë garës. Mirëpo ai (Thaçi) nuk e ka pasur frikën nga brenda dhe tash besoj që më shumë është frika nga brenda sesa a po i fitojnë zgjedhjet apo jo”, u shpreh Canaj.
Canaj, mes tjerash, u shpreh se Limaj në rast bashkimi do t’i sjellte PDK-së më së paku 15 mijë vota më shumë.