Irani i ka dorëzuar Pakistanit përgjigjen ndaj propozimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfundimin e luftës, ndërsa Islamabadi po vazhdon rolin e ndërmjetësit mes palëve, raportojnë mediat iraniane.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, përgjigjja e Teheranit është përcjellë drejt Uashingtonit përmes kanaleve diplomatike të Pakistanit.
Raportimet theksojnë se korniza e propozuar për negociatat parasheh që fokusi kryesor në këtë fazë të jetë arritja e përfundimit të luftës.
Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit kishte deklaruar se Teherani do t’i dërgonte qëndrimet dhe vlerësimet e tij mbi propozimet amerikane vetëm pas përfundimit të procedurave të brendshme të shqyrtimit dhe marrjes së vendimeve finale.
Pakistani mori rolin e ndërmjetësuesit më 8 prill, kur u arrit armëpushimi mes Iranit dhe SHBA-së, duke i dhënë fund rreth 40 ditëve të ofensivave të përbashkëta amerikano-izraelite kundër Republikës Islamike.
Pas armëpushimit, në Islamabad u zhvilluan edhe kontakte të tjera diplomatike ndërmjet palëve, megjithatë pa ndonjë progres të madh në procesin negociues.