Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se përgjigjja e Iranit ndaj propozimeve të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit me Izraelin është “krejtësisht e papranueshme”.
Sipas mediave ndërkombëtare, Irani e ka dërguar përgjigjen e tij përmes Pakistanit, i cili po luan rolin e ndërmjetësit në këtë proces. Megjithatë, detaje të plota të dokumentit iranian nuk janë bërë publike.
Një armëpushim i brishtë, i cili synonte të hapte rrugën për negociata dhe i lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që shpërtheu në shkurt, thuhet se është respektuar në masë të madhe, ndonëse janë raportuar disa përplasje të izoluara.
Trump ka përsëritur më herët se lufta “do të përfundojë shpejt”, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka theksuar se programi i pasurimit të uraniumit në Iran duhet të ç’rrënjoset plotësisht para se konflikti të mund të konsiderohet i mbyllur.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se vendi i tij “nuk do të përkulet para armikut”, duke shtuar se çdo bisedë për dialog nuk nënkupton dorëzim apo tërheqje.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, propozimi i SHBA-ve përfshin pezullimin e pasurimit bërthamor nga Irani, heqjen graduale të sanksioneve dhe garantimin e lëvizjes së lirë në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta, me paralajmërime nga të dyja palët dhe rritje të shqetësimeve për stabilitetin në Gjirin Persik dhe tregjet globale të energjisë.