Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj 16 individëve dhe shtatë subjekteve në Rusi për deportimin e paligjshëm dhe transferimin me forcë të fëmijëve ukrainas.
Në një deklaratë, Këshilli i BE-së tha se masat synojnë personat dhe institucionet përgjegjëse për “deportimin sistematik të paligjshëm, transferimin me forcë, asimilimin e detyruar, përfshirë indoktrinimin dhe edukimin ushtarak të të miturve ukrainas”, si dhe për birësimin dhe dërgimin e tyre në territorin rus.
Sipas BE-së, vlerësohet se Rusia ka deportuar dhe transferuar me forcë afro 20 mijë e 500 fëmijë ukrainas që nga fillimi i luftës, raporton The Guardian.
Në listën e sanksioneve përfshihen institucione federale ruse, si dhe zyrtarë e politikanë nga territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.
Personat dhe entitetet e sanksionuara do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndërsa qytetarëve dhe kompanive të BE-së u ndalohet t’u vënë në dispozicion fonde apo burime ekonomike. Individëve të përfshirë në listë u është vendosur edhe ndalim udhëtimi në territorin e Bashkimit Evropian.
Ky vendim vjen vetëm disa orë para një diskutimi të veçantë në BE lidhur me çështjen e fëmijëve ukrainas.