Rrugët e Prishtinës janë të mbushura plot me bërllok e papastërti.
Por nga tash, ndotësit e ambientit nuk do ta kenë aq të lehtë të kalojnë pa u vënë re.
Mbi 100 gardianë, mes tyre 40 fëmijë, janë angazhuar në kuadër të Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, një mekanizëm i ri i krijuar më 23 prill, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Të pajisur me autorizime dhe kartela identifikuese, këta vullnetarë me qëllim mbrojtjen e natyrës do të funksionojnë në gjithë territorin e Kosovës, pa pagesë.
“Ndotësit ta dijnë se nëse deri dje ke hedh mbeturina dhe askush nuk të vërejt apo fotografu, gardianët janë në terren, munden me të fotografu, e thërrasin policinë direkt, kanë autorizim, secili prej tyre është pajisur me kartelë identifikuese prej ministrisë së mjedisit”, ka thënë Fitore Pacolli, Ministre në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sipas ministres në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, gardianët do të kenë komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet, duke mundësuar reagim më të drejtpërdrejtë.
“Ka vepër që shkon në 20-30 euro, ka vepër që paguhet edhe me burg, por edhe me vlerë tepër të madhe, varet nga vepra që e kryen një qytetar”, ka thënë Fitore Pacolli, Ministre në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ambientalistët më urgjente e shohin nevojën për shtim të inspektorëve në terren dhe rritjen e buxhetit për Mjedis.
Mekanizmi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të rrisë kapacitetin institucional për reagim ndaj shkeljeve mjedisore.