Kanë kaluar rreth dy vjet e gjysmë prej herës së fundit kur u përballën sy më sy.
Madje një takim i mundshëm mes kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq ishte kushtëzuar nga shefi i ekzekutivit kosovar.
“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, deklaroi Kurti më 28 qershor të vitit 2024.
Por, kjo vijë e kuqe e Kurtit duket se është zbehur.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, të hënën konfirmoi se mori pëlqimin e të dy liderëve për një takim të ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Megjithatë, të martën nuk pati sqarime nga ekzekutivi, të cilët nuk u përgjigjen në pyetjet e Dukagjinit.
As vet kryeministri në detyrë, Albin Kurti e as u.d e presidentes Albulena Haxhiu, nuk treguan se kur dhe si u arrit kjo dakordancë.
Vënia e kritereve ndonëse shihet si aspekt pozitiv në rolin negociues, por që sipas njohësve politikë, nuk mund ta shmangë pjesëmarrjen në zhvillimin e dialogut.
“Askush më s’mund t’i ikë përgjegjësisë së dialogut, siç ka bërë Lëvizja Vetëvendosje më parë. Edhe ata tashmë e një kohë janë pjesë e dialogut. Derisa të ekzistojnë zotimet ndaj BE-se dhe Integrimet Euroatlantike, SHBA-të kanë kërku fuqimisht me vazhdu dialogun, është i paevitueshëm dhe përmbyllja sa e me shpejtë shkon në favor të Kosovës”, thotë analisti politik, Fitim Mulolli.
Mulolli konsideron se çdo zgjatje e procesit të dialogut shkon në favor të shtetit të Serbisë.
“Me stërzgjatje të dialogut, Serbia e portretizon Kosovën si një shtet të pakompletuar, si një vend ende në negocim. Nëse jemi shtet sovran pse me negociu me dikë për çështje të tilla. Prandaj Serbia e shfrytëzon këtë argument nëpër forume ndërkombëtare, në Diplomaci, me deklaru se Kosova është ende rast i pambyllur”.
Për herë të fundit Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq u takuan më 14 shtator 2023, vetëm 10 ditë para sulmit në Banjskë. Takime të tjera u zhvilluan në nivel të kryenegociatorëve.