Analisti politik, Muhamet Bytyçi, ka vlerësuar se listat zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë përcaktuese për mënyrën se si subjektet politike do të prezantohen para elektoratit.
Bytyçi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se zhvillimet më dinamike ditëve të fundit janë parë brenda Lidhjës Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës rreth listës së mundshme të kandidatëve për deputetë.
Sipas Bytyçit, aderimet dhe rikthimet e fundit politike kanë krijuar një atmosferë të re brenda LDK-së, veçanërisht pas rikthimit të ish-presidentes, Vjosa Osmani, me grupin e saj politik.
“Sigurisht që listat zgjedhore janë shumë të rëndësishme sepse ato të njëfarë mënyre prezantojnë kandidatë e grupin parlamentar të secilit subjekt. LDK-ja dhe PDK-ja kanë qenë më të diskutuara këtë ditë pasi kanë pasur më shumë aderime, normalisht që ky bashkimi i madh i të djathtës që po thuhet e ka krijuar një frymë shumë dinamike brenda Lidhje Demokratike të Kosovës pasi rikthimi i Vjosa Osmanit me grupit të saj që janë rreth 20 kandidatë do të sistemohen brenda LDK-së për të vazhduar një rrugëtim të përbashkët që po reklamohet si një rikthim i mundshëm i votave për LDK-në. Sa i përket emrave si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami, që mund të mos jenë në top 10-she nuk është gjë e duhur, por personalisht mendoj se të dy janë asete shumë të vlefshme politike, janë politikanë me përvojë të gjatë politike dhe janë njerëz që i kanë qëndruar besnik angazhimit politikë por edhe LDK-së”, u shpreh Bytyçi.