Konferenca shkencore për Ibrahim Rugovën: Trashëgimia e tij, fushë e hapur kërkimi për studiuesit

Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova

Në Prishtinë është mbajtur konferenca shkencore ndërkombëtare kushtuar jetës dhe veprës së Ibrahim Rugovës, e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e studiuesve, akademikëve dhe personaliteteve të jetës kulturore e shkencore shqiptare.

Konferenca, siç u tha të enjten, synon të trajtojë në mënyrë ndërdisiplinore figurën e Rugovës, duke ndriçuar dimensionin e tij letrar, filozofik, kulturor dhe politik, si një prej figurave më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

Këshilli organizues i konferencës përbëhet nga Sabri Hamiti si kryetar, ndërsa anëtarë janë Gëzim Hoxha, Rexhep Ismajli dhe Marenglen Verli, derisa sekretar i konferencës është Nysret Krasniqi.

Kryetari i Këshillit Organizues, akademiku Sabri Hamiti, tha se jeta dhe vepra e Rugovës paraqesin një rrugëtim të veçantë intelektual, që nis nga formimi familjar dhe letrar për të kaluar më pas në dimensionin politik dhe shtetformues.

Sipas tij, Rugova kaloi nga fazat e hershme të shkrimit dhe hulumtimit shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, deri te ndërtimi i autoritetit të tij letrar e filozofik, për t’u shndërruar më vonë në prijës të rezistencës politike të Kosovës.

Hamiti tha se Rugova ishte një personalitet që ndërthurte letërsinë, filozofinë dhe politikën, duke investuar përfundimisht kapacitetin e tij intelektual në projektin politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai shtoi se kritika e Rugovës mbetet një shkrim i argumentuar dhe një kërkim i vazhdueshëm filozofik e letrar, duke theksuar se pas studimeve në Paris në vitet 1976-1977, Rugova u ndikua edhe nga teoritë moderne të semiologjisë dhe mendimit kritik evropian.

Sipas Hamitit, Rugova ndërtoi një model unik të shkrimit kritik që bashkonte dijen dhe shijen estetike, ndërsa në dimensionin filozofik ai arrinte të lidhte kulturën antike me modernitetin përmes dialogut të vazhdueshëm me kulturën shqiptare.

Në konferencë foli edhe historiani dhe akademiku nga Shqipëria, Marenglen Verli, i cili vlerësoi figurën e Rugovës si një personalitet me ndikim të madh në jetën kulturore dhe politike shqiptare.

Konferenca pritet të vazhdojë me sesione të ndryshme shkencore, ku studiues nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera do të trajtojnë aspekte të ndryshme të jetës, mendimit kritik, filozofisë politike dhe rolit historik të Ibrahim Rugovës në proceset shtetformuese të Kosovës./KP

Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika