Trump paralajmëron Tajvanin: Mos shpallni pavarësinë nga Kina

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Tajvanin që të mos shpallë zyrtarisht pavarësinë nga Kina.

“Nuk dua që dikush të shpallë pavarësinë”, deklaroi Trump për Fox News të premten, në përfundim të samitit dyditor me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në Pekin.

Presidenti tajvanez Lai Ching-te ka deklaruar më herët se Tajvani nuk ka nevojë të shpallë pavarësinë formale, pasi e konsideron veten tashmë një shtet sovran, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

SHBA-ja prej kohësh mbështet Tajvanin dhe është e detyruar me ligj t’i ofrojë mjete vetëmbrojtjeje, por njëkohësisht përpiqet të ruajë marrëdhëniet diplomatike me Kinën.

Trump tha më herët se nuk kishte “marrë asnjë angazhim në asnjërën anë” lidhur me ishullin vetëqeverisës, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes me forcë.

Qëndrimi zyrtar i Uashingtonit mbetet se nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit, ndërsa marrëdhëniet me Pekinin bazohen në pranimin se ekziston vetëm një qeveri kineze.

Pekini ka qenë vazhdimisht kritik ndaj presidentit tajvanez, duke e cilësuar më herët si “shkaktar problemesh” dhe “shkatërrues të paqes ndërmjet dy brigjeve”.

Shumë qytetarë të Tajvanit e konsiderojnë veten pjesë të një kombi të veçantë, megjithatë shumica mbështesin ruajtjen e status quo-së, ku Tajvani as nuk shpall pavarësinë nga Kina dhe as nuk bashkohet me të.

Në intervistën për Fox News, Trump ritheksoi se politika amerikane ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar.

“Duhet të udhëtojmë 9,500 milje për të luftuar në një luftë. Nuk po kërkoj këtë. Dua që situata të qetësohet. Dua që Kina të qetësohet”, tha ai.

Gjatë kthimit për në Uashington, Trump u tha gazetarëve se kishte diskutuar “shumë” për Tajvanin me Xi Jinping, por kishte refuzuar të komentonte nëse SHBA-ja do ta mbronte ushtarakisht ishullin.

Sipas Trumpit, Xi Jinping “ndjen shumë fort” për çështjen e Tajvanit dhe “nuk dëshiron të shohë një lëvizje për pavarësi”.

Media shtetërore kineze raportoi se Xi kishte paralajmëruar gjatë takimit se “çështja e Tajvanit është tema më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, duke shtuar se nëse menaxhohet gabim, “dy vendet mund të përplasen apo edhe të hyjnë në konflikt”.

I pyetur nëse parashikon një konflikt mes SHBA-së dhe Kinës për Tajvanin, Trump u përgjigj: “Jo, nuk besoj. Mendoj se gjithçka do të jetë mirë. Xi nuk dëshiron luftë.”

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika