Një sulm me veturë ka tronditur qytetin e Modenës në Itali, ku tetë persona mbetën të lënduar, katër prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një 31-vjeçar futi makinën mes turmës në qendër të qytetit.
Sipas prokurorisë së Modenës, i dyshuari, Salim El Koudri, i lindur në Itali dhe me origjinë marokene, goditi këmbësorët “në mënyrë të qëllimshme, të rastësishme dhe pa dallim” në zonën e mbushur me njerëz të shtunën.
Pas sulmit, ai tentoi të arratisej dhe plagosi me thikë një person nga tre kalimtarët që u përpoqën ta ndalonin. Më pas u arrestua nga policia.
Prokurorët italianë kanë nisur hetimet ndaj tij për “tentativë masakre” dhe plagosje. Ata thanë se ende po hetohen motivet e sulmit.
Mes të plagosurve rëndë, dy persona kanë humbur këmbët, ndërsa një tjetër ndodhet në rrezik për jetën.
Pas ngjarjes, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti Sergio Mattarella udhëtuan drejt Modenës. Mediat italiane raportojnë se Meloni anuloi edhe një takim zyrtar në Nikozia me presidentin e Qipros për të vizituar qytetin ku ndodhi sulmi.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i ekstremit të djathtë Matteo Salvini kërkoi heqjen e lejeve të qëndrimit për personat që kryejnë krime, raporton Reuters.
Kryetari i Modenës, Massimo Mezzetti, deklaroi se dy qytetarë me origjinë egjiptiane ishin mes personave që tentuan ta ndalonin sulmuesin gjatë arratisjes.
Ai tha gjithashtu se i dyshuari kishte pasur probleme të mëhershme të shëndetit mendor, ishte i diplomuar në ekonomi dhe i papunë, megjithëse këto detaje ende nuk janë konfirmuar nga prokuroria.