Avokati Arbër Jashari ka reaguar ndaj raportimeve për presione, shkarkime nga puna dhe ndëshkime ndaj qytetarëve serbë në Kosovë, të cilët, sipas tij, po përballen me pasoja vetëm pse mbështesin subjekte të tjera politike serbe dhe jo Listën Serbe, subjekt i mbështetur nga Beogradi.
Jashari i ka cilësuar këto zhvillime si thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të garantojnë lirinë politike dhe të drejtën e secilit qytetar për të shprehur vullnetin e tij pa frikë e presion.
“Lajmet e fundit për përndjekje, shkarkime nga puna dhe ndëshkime ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, nga eksponentë te Listes Serbe, e perkrahur nga Beogradi, vetëm pse guxojnë të mbështesin subjekte të tjera politike serbe, janë thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme.
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që qytetarëve serbë t’u garantohet e drejta për ta shprehur vullnetin e tyre politik lirshëm, pa frikë dhe pa presion. Integriteti i zgjedhjeve duhet të mbrohet dhe të garantohet në çdo rrethanë.
Ndikimi në përcaktimin e lirë të votuesve është vepër penale dhe ndëshkohet sipas ligjit. Shantazhuesit, manipuluesit dhe mbjellësit e frikës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
Nuk mund të ketë demokraci të plotë pa demokratizimin e çdo komuniteti në Kosovë. Pluralizmi politik brenda komuniteteve është i domosdoshëm dhe duhet të mbrohet e garantohet”, ka shkruar Jashari në Facebook.