“Ose voto Listën Serbe ose humb punën” – Akuza për shantazh politik ndaj serbëve në Kosovë

Punonjës të institucioneve paralele serbe në Kosovë po denoncojnë largime nga puna, ulje pagash dhe forma të ndryshme presioni politik, për të mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas raportimeve, në strukturat paralele të dirigjuara nga Beogradi përmes të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë po përdoret përdorimi i vendeve të punës si mekanizëm kontrolli dhe presioni politik ndaj serbëve të Kosovës.

Një nga rastet më të përfolura është ai i Danijella Gjekiq nga Kamenica, e cila pas afro 36 vitesh pune në Qendrën Kulturore “Radomir Popoviq” mori vetëm rreth 20 mijë dinarë pagë në muajin prill, pa asnjë shpjegim zyrtar. Ajo pretendon se pas këtij veprimi qëndron hakmarrja politike nga zyrtarë të Listës Serbe, pasi kishte ngritur padi për mospagimin e një shpërblimi jubilar raporton Nova.rs përcjell Dukagjini.

Gjekiq ka thënë se presionet ndaj saj nisën pasi kërkoi të drejtat e saj në gjykatë dhe se më pas u përjashtua edhe nga komunikimet e brendshme, përfshi grupin në Viber. Ajo pretendon se në prapavijë qëndron Tanja Aksiq-Antiq, ish-zyrtare e strukturave paralele serbe dhe aktualisht kryetare e Ranillugut në sistemin e Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe.

Nova.rs përmend se raste të ngjashme po ndodhin edhe në Graçanicë dhe zona të tjera të Kosovës, ku mbi 20 persona thuhet se janë larguar nga puna në institucionet shëndetësore dhe arsimore paralele serbe. Sipas pretendimeve të tyre, shkarkimet lidhen me afërsinë politike me kundërshtarë të Listës Serbe ose me aktivitetet e tyre në rrjetet sociale.

Në dokumentet e largimit nga puna, kryesisht përmenden edhe “angazhimet politike” si arsye për ndërprerjen e kontratave. Kjo po shihet si formë presioni për të orientuar votën e qytetarëve serbë drejt Listës Serbe në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Edhe më herët kishte akuza të ngjashme ndaj zyrtarëve të Listës Serbe. Dy politikanë opozitarë serbë në Ranillug kishin hyrë në grevë urie, duke pretenduar se pagat e tyre ishin ulur me mbi 90 për qind pasi refuzuan të tërhiqeshin nga gara zgjedhore dhe të mbështesnin Listën Serbe.

Megjithatë, Lista Serbe i ka mohuar akuzat për presion politik dhe largime selektive nga puna, duke pretenduar se ndikimi dhe presioni mbi qytetarët serbë po ushtrohet nga ministri Nenad Rashiq dhe strukturat që ai drejton.

Lista Serbe pretendon se Rashiq po përdor fondet dhe programet institucionale të Kosovës për të siguruar mbështetje politike në mesin e komunitetit serb në Kosovë.

Por, ishte vet Rashiq ai i cili kishte denoncuar rastet e largimit nga puna duke thënë se janë vendime të pabazuara.

Nga ana tjetër institucionet e Kosovës kanë arrestuar shtatë (7) drejtorë të shkollave dhe institucioneve shëndetësore serbe nën dyshimin për ndikim në vullnetin elektoral të votuesve.

Duhet rikujtuar se praktika të ngjashme të ndikimit elektoral përmes punësimeve dhe ndihmave sociale janë përdorur edhe më parë nga vetë strukturat ilegale të mbështetura nga Beogradi dhe Lista Serbe gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë.

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika