Ligji i ri për Shtetësinë e Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi nga sot, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në procedurat e aplikimit dhe rifitimit të shtetësisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një video-mesazhi.
Sipas tij, një nga lehtësimet kryesore është mundësia e rifitimit të shtetësisë për qytetarët që janë detyruar të heqin dorë prej saj për arsye objektive.
Me rregullat e reja, nga dokumentacioni i mëparshëm që përfshinte rreth nëntë dokumente, tani kërkohet vetëm kërkesa e plotësuar dhe dëshmia se aplikuesi nuk është i dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në shtetin ku jeton.
Sveçla ka njoftuar gjithashtu se aplikimi për shtetësi tashmë mund të bëhet online përmes platformës “e-Kosova”, duke e bërë procesin më të qasshëm për bashkatdhetarët.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është shkurtimi i afatit të shqyrtimit të kërkesave, i cili nga gjashtë muaj sa ishte më parë, tash është reduktuar në 30 ditë.
Ligji i ri për shtetësinë është miratuar në Kuvendin e Kosovës në seancën e 23 prillit 2026 dhe konsiderohet një hap drejt lehtësimit të procedurave për diasporën.