Në Serbi, propaganda nuk është thjesht mënyra se si pushteti e tregon veten. Ajo është mënyra se si ndërtohet një realitet i tërë politik, se kush duhet të shihet si armik, kush si viktimë, kush si tradhtar dhe kush si mbrojtës i shtetit. Përmes titujve, imazheve, deklaratave dhe përsëritjes së pandërprerë të të njëjtave narrativa, politika hyn çdo ditë në shtëpitë e miliona qytetarëve, shpesh shumë përpara se ata të kenë mundësi ta pyesin se çfarë fshihet pas saj.
Në këtë realitet, Kosova nuk është vetëm një çështje politike apo diplomatike. Ajo është një prej mjeteve më të fuqishme për prodhimin e frikës, mobilizimin e emocioneve dhe konsolidimin e pushtetit.
Sa herë që shfaqet një krizë, një incident apo një përplasje politike, ajo mund të shndërrohet në material për një narrativë të gatshme, “Serbia është nën kërcënim, serbët janë viktima dhe pushteti është mburoja e fundit”.
Kjo nuk është një histori për një titull të vetëm apo për një lajm të vetëm. Është historia e një makinerie që funksionon përmes përsëritjes, aq shpesh, aq gjatë dhe aq gjerësisht, sa një interpretim politik mund të fillojë të duket si vetë realiteti.
Në qendër të këtij mekanizmi qëndron një ekosistem i fuqishëm mediatik i ndërtuar dhe konsoliduar gjatë viteve të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, ku kufiri mes propagandës politike dhe raportimit informativ shpesh bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar.
Të dhënat e Freedom House për vitin 2026 e përshkruajnë mjedisin mediatik serb si të karakterizuar nga propagandë ekstreme dhe manipulim të fakteve në tema të caktuara, përfshirë edhe politikën ndaj Kosovës. Organizata thekson gjithashtu ndikimin e shtetit dhe të partisë në pushtet mbi mediat private, përmes reklamave, subvencioneve indirekte dhe marrëdhënieve ekonomike.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo medium në Serbi është pjesë e së njëjtës skemë. Problemi qëndron te struktura, sepse kur një numër i madh platformash me audiencë të gjerë përsërisin të njëjtën kornizë politike, hapësira për një debat real dhe pluralist ngushtohet.
Në këtë sistem, Kosova mbetet një prej mjeteve më të fuqishme të mobilizimit emocional.
Propaganda moderne nuk ka nevojë gjithmonë të shpikë një ngjarje. Shpesh mjafton të zgjedhë se cilin element të saj do ta vendosë në qendër të vëmendjes.
Një incident në veri të Kosovës mund të raportohet si problem sigurie, si mosmarrëveshje politike ose si episod i një konflikti më të gjerë. Por, kur e njëjta ngjarje përshkruhet vazhdimisht përmes fjalëve si “terror”, “spastrimi”, “sulm ndaj serbëve” apo “provokim i Prishtinës”, audienca nuk merr vetëm informacion, por edhe një interpretim të gatshëm.
Megjithatë, debati për propagandën nuk duhet të kufizohet vetëm te pyetja nëse një titull është i rremë. Pyetja më e rëndësishme është se çfarë realiteti ndërtohet kur mijëra tituj, fotografi, deklarata dhe komente e përsërisin të njëjtën ide, duke manipuluar në mënyrë periodike.
Një prej mekanizmave më të fuqishëm të kësaj makinerie është personalizimi i politikës.
Një analizë e Raskrikavanje për mbulimin mediatik gjatë vitit 2025 nxjerr në pah përmasat e propagandës dhe manipulimit në një pjesë të mediave tradicionale serbe. Monitorimi i gjashtë gazetave të konsideruara pranë pushtetit, Alo, Informer, Srpski telegraf, Politika, Večernje novosti dhe Kurir, evidentoi 1,863 tekste manipuluese vetëm në faqet e para gjatë vitit.
Në këtë mozaik mediatik, Aleksandar Vuçiq zë një hapësirë të jashtëzakonshme. Presidenti serb u shfaq më shumë se 1,000 herë në faqet e para të këtyre gazetave, por ajo që bie veçanërisht në sy është mënyra se si u paraqit. Asnjë prej këtyre paraqitjeve nuk ishte negative.