Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur Rrustem Thaqin si kryesues të ri të këtij institucioni, me gjashtë vota për në procesin e votimit ku morën pjesë 11 anëtarë.
Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme, do ta ushtrojë mandatin trevjeçar duke filluar nga dita e sotme. Kundërkandidati i tij, Besnik Bislimaj, gjyqtar nga Gjykata e Apelit, mori pesë vota.
Sikurse edhe në konkursin e kaluar, në garë për postin e kryesuesit ishin të njëjtët kandidatë – Rrustem Thaqi dhe Besnik Bislimaj. Para procesit të votimit, kandidatët nuk mbajtën fjalime, pasi vizionet dhe programet e tyre i kishin prezantuar gjatë procesit paraprak zgjedhor.
Procesi për zgjedhjen e kryesuesit të ri kishte nisur më 12 mars, kur KGJK-ja shpalli konkursin që qëndroi i hapur deri më 26 mars 2026. Megjithatë, tentativa e parë për zgjedhjen e kryesuesit kishte dështuar më 30 prill, pasi të dy kandidatët kishin marrë nga pesë vota secili, çka detyroi rishpalljen e konkursit.
Para Thaqit, postin e kryesuesit të KGJK-së e mbante Albert Zogaj, gjyqtar nga Gjykata Supreme.