Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e Nasuf Hasani kundër Odës së Avokatëve të Kosovës, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 61 të Statutit të OAK-së.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, dispozita e kontestuar parashihte që avokatit t’i humbte automatikisht e drejta për ushtrimin e avokatisë dhe të shlyhej nga Regjistri i Avokatëve në rast të mospagesës së obligimeve financiare brenda afatit të caktuar nga Oda.
“Në rast të mospagesës së obligimeve brenda afatit të përcaktuar nga Oda, avokatit automatikisht i humb e drejta për ushtrimin e avokatisë dhe shlyhet nga Regjistri i Avokatëve”, thuhej në dispozitën e Statutit të OAK-së të shfuqizuar nga Gjykata.
Gjykata Supreme vlerësoi se kjo dispozitë binte ndesh me Ligji Nr. 04/L-193 për Avokatinë, i cili përcakton qartë afatin ligjor prej një viti për humbjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit për shkak të obligimeve financiare.
“Ligji Nr. 04/L-193 për Avokatinë përcakton qartë dhe në mënyrë taksative se avokati e humb të drejtën për ushtrimin e avokatisë vetëm nëse, brenda periudhës prej një viti, nuk i përmbush detyrimet financiare ndaj Odës”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Sipas Gjykatës Supreme, Statuti i OAK-së kishte krijuar standard juridik më të ashpër se ai i përcaktuar me ligj, duke i dhënë Odës kompetencë për të caktuar afate më të shkurtra.
“Një rregullim i tillë cenon parimin e hierarkisë së akteve juridike, pasi Statuti nuk kufizohet vetëm në operacionalizimin e ligjit, por ndryshon përmbajtjen materiale të tij”, thekson Gjykata.
Tutje, Gjykata Supreme sqaroi se shqyrtimi i ligjshmërisë së Statutit të OAK-së nuk përbën ndërhyrje në pavarësinë funksionale të Odës së Avokatëve.
“Kontrolli gjyqësor i akteve nënligjore garanton funksionimin autonom të institucioneve, por gjithmonë brenda kornizës ligjore”, thuhet në aktgjykim.
Në përfundim, Gjykata Supreme vlerësoi se dispozita e shfuqizuar krijonte “regjim juridik të pavarur dhe në kundërshtim me ligjin”, duke cenuar sigurinë juridike dhe parimin e ligjshmërisë.