Një 46-vjeçar nga Kosova B.G, është arrestuar nën dyshimin se gjatë natës mes së martës dhe së mërkurës ka vrarë bashkëjetuesen e tij në Ulqin, në lagjen Kodra, dhe më pas i ka vënë zjarrin në shtëpinë ku jetonin, shkruan Vijesti.
Ai ka pësuar lëndime nga zjarri dhe është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar, e më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, kanë bërë të ditur nga policia.
“Policia, në një kohë shumë të shkurtër, identifikoi dhe vuri nën kontroll personin i cili dyshohet se gjatë natës kreu veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj bashkëjetueses së tij, dhe më pas i vuri zjarrin vendit të ngjarjes, shtëpisë ku ata jetonin së bashku në lagjen Kodra në Ulqin. Departamenti i Sigurisë në Ulqin rreth orës 00:30 pas mesnate u njoftua se në një objekt banimi kishte shpërthyer zjarr. Zyrtarët policorë dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjetën trupin e pajetë të një personi të panjohur, i identifikuar më vonë si D.N. (36), shtetase e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, zyrtarët policorë më pas gjetën dhe ndaluan një person me lëndime të shkaktuara nga zjarri, për të cilin më vonë u konstatua se ishte B.G (46).
“Për rastin është njoftuar prokurori shtetëror në Prokurorinë e Lartë Shtetërore në Podgoricë. Zyrtarët policorë, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e rastit, kanë marrë deklarata nga disa persona dhe kanë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, si dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Veprimet e deritanishme policore dhe prokuroriale tregojnë dyshimin se B.G. ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ka vënë zjarr në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar prej aty”, thuhet më tej në komunikatë.
Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer prokurorja kompetente nga Prokuroria e Lartë Shtetërore në Podgoricë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve policorë dhe ekspertëve për zjarrvënie. Prokurorja e ka cilësuar rastin si vepër penale “vrasje e rëndë”, thanë nga policia.
“Trupi i viktimës D.N. është dërguar për obduksion mjeko-ligjor në Qendrën Klinike në Podgoricë, ku do të përcaktohen shkaku i vdekjes dhe rrethanat e sakta në të cilat ka ndodhur ajo. Personi B.G. është vënë nën kontroll dhe po ruhet nga policia në Qendrën Klinike, ku po trajtohet për djegiet që ka marrë gjatë ngjarjes. Për informacione të tjera lidhur me rastin, publiku do të njoftohet me kohë nga organet kompetente që po merren me hetimin”, thuhet në njoftim.