Rumania e akuzon Rusinë për “përshkallëzim” pasi droni godet një ndërtesë banimi

Rumania e ka akuzuar Rusinë të premten për “përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm”, pasi një dron e goditi një ndërtesë shumëkatëshe banimi brenda Rumanisë, fare pranë kufirit me Ukrainën.

Droni hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë sulmeve të natës kundër Ukrainës dhe u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në Galați, një qytet në lumin Danub, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë të premten.

Sipas ministrisë, rrëzimi i dronit shkaktoi zjarr, duke nxitur reagim emergjent ku u përfshinë disa agjenci sigurie dhe shpëtimi.

Sipas zyrtarëve rumunë, kjo nxiti evakuim nga ndërtesa dhe të paktën dy njerëz pësuan lëndime të lehta.

“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse”, tha ministrja e Jashtme e Rumanisë, Toiu Oana, në një postim në X.

Rusia ende nuk ka komentuar lidhur me incidentin.

Ajo shtoi se Bukureshti i ka njoftuar shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), aleatët e NATO-s dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe se ka “kërkuar masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër dronëve në Rumani”.

“Federata Ruse mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këto veprime të rënda dhe të papërgjegjshme”, tha Oana.

Kongresisti amerikan Joe Wilson deklaroi se Rusia, “në mënyrë agresive dhe e paprovokuar”, e ka sulmuar Rumaninë, duke thënë se “familjet që flenë në shtëpitë e tyre janë caku” dhe se “parandalimi është e vetmja mënyrë për t’i ndalur veprimet e çoroditura të Rusisë.”

NATO-ja e dënoi atë që e quajti “pakujdesia e Rusisë”, tha zëdhënësja e aleancës, Allison Hart, në një postim në X.

Ajo tha se shefi i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt me autoritetet rumune, duke shtuar se “NATO-ja do të vazhdojë ta forcojë mbrojtjen tonë kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë kundër dronëve”.

Rumania, anëtare e NATO-s dhe BE-së që ndan një kufi prej 650 kilometrash me Ukrainën, ka regjistruar 28 depërtime të dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore qëkurse Moska i filloi sulmet ndaj porteve ukrainase përgjatë lumit Danub gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës, që e nisi në shkurt të vitit 2022.

“Lufta agresive e Rusisë ka kaluar edhe një kufi tjetër”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në X.

“Inkursioni i një droni rus goditi një zonë me dendësi të lartë popullsie në Rumani, duke plagosur civilë. Në territorin e BE-së”, tha ajo.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim trysninë ndaj Rusisë. Po e përgatisim paketën e 21-të të sanksioneve”, tregoi ajo.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika