Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë, mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që vjen vetëm një javë pas rizgjedhjes së Sali Berishës në krye të kësaj force politike.
Punimet pritet të nisin me miratimin e Komisionit që do të drejtojë Kuvendin, si dhe të Sekretariatit Teknik.
Komisioni do të përbëhet nga Ivi Kaso në cilësinë e kryetarit, së bashku me Floriana Garon, Bardh Spahinë, Eliona Shkrelin dhe Nada Meçorpajn.
Pas votimit të tyre nga delegatët, Kuvendi do të hapë zyrtarisht punimet.
Sot pritet të zgjidhet dhe Kupola drejtuese e PD-së, do të votohet edhe për 200 anëtarët e rinj të Kuvendit Kombëtar.
Gjatë seancës, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, do të prezantojë paketën me tetë propozime për ndryshime statutore, të cilat do t’i nënshtrohen diskutimit dhe votimit.
Ndër ndryshimet kryesore parashikohet riformatimi i procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish, duke i dhënë një rol paraprak një komisioni të posaçëm që do të filtrojë kandidaturat përpara se ato t’i paraqiten anëtarësisë.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me digjitalizimin dhe përditësimin periodik të regjistrit të anëtarëve të partisë, proces që synon adresimin e problematikave të evidentuara ndër vite në listat e anëtarësisë.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe zgjedhja e 200 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Votimi për këtë strukturë do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve gjatë zhvillimit të fjalimeve, ndërsa emrat e kandidatëve ende nuk janë bërë publikë.
Pas përfundimit të këtij procesi, Këshilli Kombëtar do të ketë përgjegjësinë të shqyrtojë dhe votojë propozimet e kryetarit Sali Berisha për përbërjen e ekipit të ri drejtues të partisë.
Sipas informacioneve të bëra publike më herët, ndryshimet statutore nuk prekin dispozitën e njohur si “Neni Basha”, që lidhet me përgjegjësinë e drejtuesve pas humbjes së zgjedhjeve, ndërsa mekanizmi i Primareve mbetet pjesë e statutit, megjithëse me ndryshime në mënyrën e zbatimit.
Kuvendi Kombëtar mblidhet vetëm një javë pasi Sali Berisha u rikonfirmua në krye të Partisë Demokratike për një mandat të ri, në një proces ku ai ishte kandidati i vetëm dhe mori 37 mijë e 341 vota./tvklan