Kështjella e Kujtesës

Autor: Mentor Tahiri

Këtu, pranë kështjellës, njeriu ndjen diçka në ajër. Një prani të padukshme e të shpërndarë, të formuar nga mbetjet e kohëve të shkuara. Një ndjesi e brumosur me shekuj dhe me thirrjen e të parëve.

Kam pritur gjatë të vij. Është më shumë se një udhëtim. Është pengu që ma lanë tregimet. Ato që ushqejnë shpirtin e çdo njeriu.

Hapat e mi mbi shtigjet e gurit të shkelur, zhbëjnë melodinë e heshtjes. Era e lehtë bart aromën e shiut mbi mure të lashta dhe gjurmët e hapave të atyre që dikur kanë kaluar këtej.

Nga këtu ushtritë niseshin furishëm me kuajt e ngopur ujë. Ktheheshin të dërmuara e me kuaj të gjakosur. E njëjta edhe kur tregtarët ktheheshin të lodhur me karvanët e tyre, duke numëruar sulmet plaçkitëse, shpesh edhe të paqena, në përpjekjen e tyre bindëse që të mos ulin çmimin e mallit që kanë sjellë kush e di nga ku.

Në sfond dëgjohet përplasja e shpatave hungareze e osmane mbi parzmoret e këtij trualli. Një ushtimë që ende duket sikur vibron në thellësitë e dheut. Tutje, sikur kanë mbetur në përjetësi, hallet e një mbreti trim, i strukur në kështjellë përballë pafuqisë që trupi i tij t’i del përpara hijes së bajlozit.

Forca madhore s’ka ndalur kurrë para hallit të një mbreti. As pushteti më i madh nuk e ka shpëtuar njeriun nga halli i tij. Në këtë pikë, kur fundi troket, njerëzit janë gjithmonë të barabartë me mbretin. Rolet që i kemi gjatë jetës, nuk na e tjetërsojnë fundin.

Në hapësirën e mbushur me kujtime e jehona, kalojnë si hije figura dhe zëra. Kastelani Dioniz dhe dizdari Muhamed shfaqen si dy roje të së njëjtës botë. Atë e bir në logjikën e shekujve, për ta shpëtuar atë të gjakut, duke e bërë të parëndësishme matematikën e viteve. Vazhdimësia rron. Edhe vendi veç me njerëz. Më e lehta është të zhdukesh.

Diku në hierarkinë e tregimeve qëndron Agai, me fermanin e Sulltanit në dorë, si shenjë e një rendi të ngritur mbi ligj dhe hekur. Me vakëfin që krijoi, la gjurmë në jetën e njerëzve që u mblodhën rreth tij. I vetëdijshëm për vulën që la në faqet e kohës, as ai nuk arriti ta marrë gjithë famën e kështjellës.

I biri tij trazoi edhe poetin për të thurur ato dymbëdhjetë mijë vargje historie, ku përplasen trimëria dhe dashuria në të njëjtën frymë. Poema mbetet këngë, mbahet mend edhe kur nuk shkruhet. Lahutarët e malësive nuk kanë nevojë për tekstin para. I bëjnë hile shkrimit, kur epin e kalojnë nga brezi në brez.

E kaluara lë gjurmët në mënyrat më të çuditshme, por lë edhe ato më të bukurat po ashtu. Kështjella i mban me xhelozi fshehtësitë e saj. Ne shohim vetëm copëzat që sfiduan zhdukjen, si vargjet e strehuara në mbamendjet homeriane. Mbi krejt këto copëza, shtrihet një bashkëjetesë e brishtë mes krishterimit dhe islamit; frymëmarrje që ndajnë të njëjtin ajër, por jo gjithmonë të njëjtën qetësi. Një mozaik identitetesh që la pas toponime, emra dhe gjurmë. Besimet ikën, pyetjet mbetën. Toka i mban ende.

Mes gjithë këtyre flamujve kanë jetuar edhe njerëzit e zakonshëm. Ata që ekzistuan me frikërat e tyre të heshtura dhe me dëshira që nuk hynë kurrë në kronika. Dikush ka ëndërruar vetëm një stinë pa luftë, një sofër të mbushur, një fëmijë të shpëtuar nga uria.

Dikush tjetër ka pritur një kthim që nuk erdhi kurrë. Një grua ka dalë çdo mbrëmje në pragun e shtëpisë, duke kërkuar në horizont hijen e burrit që lufta ia kishte marrë. Me muaj, e pastaj me vite, ka mësuar të dallojë çdo kalorës që afrohej nga rruga, vetëm për t’u zhgënjyer sërish. Netëve e kanë mbajtur zgjuar shqetësimet që kronikani nuk i shkroi askund.

Tutje, nga murrët e kështjellës një fëmijë ka vrapuar drejt karvanëve që shfaqeshin në pluhur, me shpresën se mes tyre do të gjente një lajm të mirë nga larg për vëllain e madh që s’u kthye kurrë. Në kasollen e vogël nën murre, një plak ka numëruar ditët jo me kalendar, por me kambanat dhe thirrjet nga shtëpia e zotit, duke matur kohën sipas asaj që dëgjonte dhe jo sipas asaj që shihte. Jeta e tyre nuk hyri në kronika, por ishte po aq e vërtetë sa luftërat, mbretërit dhe fitoret që mbushën palimpset.

Pranë lumit të shelgjeve dhe asfaltet që e ndjekin si damarë, ky vend mbetet një nyje e heshtur e së dikurshmes. Urat nuk kanë qenë kurrë vetëm kalime; ato kanë qenë pragje fati, për dikë shpëtim, për dikë mallkim. Si urat që kalojmë edhe sot. Rrugëtimi jetësor mbetet i njëjtë. Këtë nuk e kuptoj askund më shumë se këtu. Edhe tani rruga që kalon nën kështjellë lidhë qytetet.

Historia e shkruar mbetet e pamëshirshme. Ajo lë në hije gjithçka tjetër. Përzgjedh madhështinë e përplasjes dhe kalon shpejt mbi përjetimet individuale. Ikën kështu i pashkruar loti i një nëne, dashuritë e humbura, ankthi i njeriut të zakonshëm.

Edhe ai që shkruan, shpesh ndjek famën, sepse kujtesa e ka të vështirë të mbijetojë pa namin e lavdisë. Prandaj kujton betejat, pushtimet dhe triumfet kolektive, sikur jeta e secilit të ishte vetëm një hije e shkurtër nën peshën e kohës.

Tani gjithçka më duket më e paqartë. Realiteti rrëshqet nga duart edhe po e shtrëngove fort. Historia s’ka më kufi. Nuk jam më i sigurt ku mbaron rrëfimi dhe ku fillon kujtesa; ku ndahet substanca nga gjurmët që ka lënë pas ndër të dukshmen dhe atë që nuk shihet. E kaluara vjen e turbullt, në një hapësirë ku iluzioni dhe e vërteta nganjëherë ngjajnë me njëra-tjetrën.

Megjithatë, kureshtja vazhdon të gërvishtë nga brenda, duke kërkuar diçka që nuk është më krejt e qartë, por as plotësisht e humbur. Mbi këtë truall qëndroj si dëshmitar i kujtesës. Të tjerë sundojnë tani këtu. Ky është tagri i luftës. Në vendbanimet përreth, nuk ka më mbiemra të gjakut tim.

Njeriu shkatërron njeriun dhe flamujt shpesh valëviten mbi plagët e turpit. Në këto anë, fitoret shpallen edhe kur nuk janë. E vetmja prani e të parëve të mi mbetet gjaku që nuk thahet dhe vështrimi i tyre që më ndjek nga qielli. Më sjell të pakthyeshmen. Më lë mes krenarisë e dhimbjes. Të tërën përpiqem ta shndërroj në dashuri.

Askush nuk e di çfarë sjell e ardhmja. Ajo nuk i zbulon planet e saj, as sekretet e fshehura në sirtarët e kozmosit ku ruhen fatet. Ndoshta është më mirë kështu. Po t’i njihnim paraprakisht udhët tona, do të humbnim edhe misterin që e mban mendjen e njeriut përherë në lëvizje.

Tani kur po largohem, vështroj kështjellën që po mbetet gjithnjë më lartë. Rojtare e kohës që sfidon mes qyteteve të sotme moderne. Gurët e saj mbajnë më shumë kujtesë se ne. Ndoshta kjo është arsyeja pse kthehem këtu. Jo aq për të gjetur përgjigje, por për të dëgjuar pyetjet që koha ende nuk i ka shuar.

Përshëndetem me kështjellën me më shumë pyetje se kur erdha. Mbrëmja do të më gjejë pranë një tavoline. Një muzikë e ulët do të mbulojë bisedat e tavolinave përreth. Aroma e kafesë do të provojë të më ngatërrojë ndjesinë e ajrit të kështjellës sime të kujtesës

Kalova fshatra. Teksa po zbres në qytetin pranë, shoh si njerëzit bëjnë garë lapidarësh në luftën e tyre kronike për mbizotërim. Kjo shihet madje nga dritaret e makinës. Në qytete si ky, ka dy lloj lapidarësh, dy lloj objektesh fetare, e veç një lloj njerëzish. Ai i vetmi lloj i njeriut që çdo ditë zgjohet me luftën e përditshme për të mbetur gjallë.

Pyetjet vijnë e shtohen, por sikur tek kështjella, as rrugët e qytetit nuk japin përgjigje. Qetësohem pak duke menduar se edhe pyetjet pa përgjigje janë një formë e të kuptuarit të jetës.

Kur gjumi nis të më kërkojë dhe kështjella tretet në mbrëmje, ndoshta kuptoj se ajo nuk u mbijetoi shekujve për shkak të gurëve. Gurët rrëzohen. As për shkak të mbretërve, agallarëve apo ushtrive. Edhe ata harrohen. Kështjella mbijetoi sepse çdo brez la mbi të një kujtim. Historia dhemb. Nuk përfundon kurrë. Ajo thjesht vazhdon të rrjedhë në plagët e atyre që ende dinë ta kujtojnë.

Të fundit nga rubrika