Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se për gjashtë vite nuk është realizuar asnjë investim serioz dhe asnjë projekt i madh infrastrukturor.
Ismaili tha se PDK, edhe me më pak përqindje të votave dhe me buxhet shumë më të ulët, ka arritur të realizojë projekte me të cilat, sipas tij, Kosova mburret edhe sot.
“Ne kemi pasë më pak përqindje të votave, me buxhet shumë herë më të ulët, dhe kemi arritur t’i realizojmë disa nga projektet me të cilat edhe sot krejt Kosova mburret. E këta çka bëjnë qe gjashtë vite? I dëgjon gjithandej vetëm duke thënë: i kemi 51 për qind, i kemi 51 për qind”, ka thënë Ismaili në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për arsyetime dhe propagandë, por për qeverisje që prodhon rezultate konkrete.
