Abdixhiku nga Mitrovica: Ky qytet është krenaria e Kosovës dhe meriton projekte madhore për të ardhmen

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Mitrovicë ka vlerësuar rolin dhe kontributin e këtij qyteti në historinë, ekonominë dhe kulturën e Kosovës, duke theksuar se Mitrovica meriton vëmendje të veçantë dhe projekte zhvillimore për të ardhmen.

Abdixhiku tha se është kënaqësi e veçantë të qëndrojë në një qytet që, sipas tij, ka bartur shumë histori, sfida dhe krenari për Republikën e Kosovës.

“Është kënaqësi e madhe e jona të jemi në Mitrovicë — në një qytet me peshë të jashtëzakonshme për Republikën tonë, në një qytet që ka bartur shumë histori, shumë sfida, dhe mbi të gjitha shumë krenari”, u shpreh ai.

Duke folur për identitetin e qytetit, kandidati i LDK-së e cilësoi Mitrovicën si qytetin e Trepçës, të punës dhe industrisë, duke nënvizuar kontributin e saj në zhvillimin e Kosovës.

“Jemi veçanërisht të lumtur që jemi sot në qytetin e Trepçës, qytetin e punës, industrisë, djersës, qëndresës, kulturës, muzikës, e besa edhe të rock-ut. Një qytet që për dekada ka qenë zemra kulturore dhe ekonomike e Republikës së Kosovës; një qytet që Kosovës i ka dhënë zhvillim, energji, dije dhe njerëz të jashtëzakonshëm”, tha Abdixhiku.

Ai e përshkroi Mitrovicën si një qytet me karakter dhe me njerëz punëtorë e krenarë.

“Mitrovica është qytet i karakterit, qytet i njerëzve të fortë, qytet i njerëzve punëtorë dhe njerëzve krenarë. Një qytet që ka ditur gjithmonë të qëndrojë në këmbë, edhe kur ka pasur shumë sfida”, deklaroi ai.

Sipas Abdixhikut, si simbol i qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës, Mitrovica meriton një të ardhme më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“Si simbol i qëndrueshmërisë së Republikës sonë, Mitrovica meriton vëmendjen më të madhe tonën. Meriton një të ardhme — një të ardhme të rrugëtuar përpara, që e vendos këtë qytet aty ku i takon”, tha ai.

Kreu i LDK-së theksoi se zhvillimi nuk mund të arrihet me pritje apo propagandë, por përmes projekteve konkrete dhe vizionit afatgjatë.

“Kjo e ardhme nuk bëhet duke pritur. Nuk bëhet as me fjalë të thata e as me propagandë. Ajo bëhet drejt, me projekte madhore dhe me ambicie të jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës, për këtë qytet që me të drejtë mund të themi se është krenaria e të gjithë Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.

Ai tha se këto synime janë pjesë e prioriteteve të LDK-së dhe ekipit të saj.

“Ky është prioriteti që Lidhja Demokratike e Kosovës, me ekspertët më të mirë që ka vendi, ka ndërtuar”, përfundoi Abdixhiku./EO

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika