SHBA-ja dhe Irani nisin sulme të reja, negociatat për armëpushim mbeten të bllokuara

Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ka kryer sulme “në vetëmbrojtje” kundër Iranit dhe ka rrëzuar raketa balistike dhe dronë të lëshuar drejt anijeve dhe vendeve të Gjirit Persik.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (Centcom), sulmet në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, u kryen “si përgjigje ndaj sulmeve të tentuara nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Irani tha se kishte sulmuar baza amerikane dhe helikopterë në një “vend rajonal” duke përdorur raketa dhe dronë, si kundërpërgjigje.

Centcom deklaroi se Teherani kishte lëshuar dy raketa drejt Kuvajtit dhe tre drejt Bahreinit, por ato ose u shpërbënë gjatë fluturimit.

Sulmet e fundit vijnë në një kohë kur negociatat për armëpushim janë bllokuar, pasi bisedimet për t’i dhënë fund luftës disamujore nuk kanë shënuar përparim gjatë fundjavës.

Centcom shtoi se sulmi në ishullin Qeshm kishte në shënjestër një stacion iranian të kontrollit ushtarak në tokë dhe se ushtria amerikane rrëzoi gjithashtu tre dronë sulmues të lëshuar nga Irani drejt “marinarëve civilë që po kalonin ligjërisht në ujërat rajonale”.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaruan se cenimi i sigurisë së Ngushticës së Hormuzit do të ketë një çmim të rëndë për ushtrinë agresore amerikane.

Centcom tha gjithashtu se Irani kishte lëshuar “disa” raketa balistike drejt vendeve të rajonit.

“Dy raketa iraniane të lëshuara drejt Kuvajtit ranë para se të arrinin objektivin ose u shpërbënë gjatë rrugës, ndërsa tre raketa të lëshuara drejt Bahreinit u interceptuan menjëherë nga mbrojtja ajrore amerikane dhe ajo e Bahreinit.”

Irani ka sulmuar vazhdimisht objektiva në Bahrein dhe Kuvajt, ku ndodhen baza ushtarake amerikane.

Më herët, Centcom njoftoi se kishte goditur dhe nxjerrë jashtë funksionit një cisternë nafte pa ngarkesë, e cila po lundronte drejt Iranit, si pjesë e bllokadës detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit, e nisur më 13 prill.

Një avion amerikan qëlloi me një raketë “Hellfire” në dhomën e motorëve të anijes me flamur të Botsvanës, pasi ekuipazhi i saj “kishte injoruar paralajmërimet e përsëritura”, thuhet në deklaratë.

Centcom publikoi gjithashtu pamje që pretendohet se tregojnë momentin kur cisterna u godit të martën.

Përshkallëzimi i situatës vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump u tha kritikëve të tij këtë javë të “qetësohen dhe të presin”, duke shtuar se Irani “dëshiron vërtet një marrëveshje dhe ajo do të jetë e mirë për SHBA-në”.

Mediat amerikane raportuan më herët se Trump kishte kërkuar ndryshime në kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, pas një takimi me këshilltarët e tij të lartë për të diskutuar zgjatjen e kornizës së armëpushimit.

Sipas CBS News, ndryshimet lidhen me Ngushticën e Hormuzit, largimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë nga Irani dhe krijimin e një kornize për rifillimin e negociatave mbi programin bërthamor iranian.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, mohoi se këto çështje kishin qenë pjesë e bisedimeve, duke akuzuar Uashingtonin se “po ndryshon vazhdimisht qëndrimet dhe po paraqet kërkesa të reja ose kontradiktore”.

Në deklaratën e fundit, Centcom tha se forcat amerikane “zbatuan masat e bllokadës ndaj cisternës M/T Lexie me flamur të Botsvanës, teksa ajo po kalonte në ujërat ndërkombëtare drejt ishullit Kharg”.

Sipas saj, ekuipazhi i anijes kishte dështuar të respektonte udhëzimet e forcave amerikane disa herë gjatë një periudhe 24-orëshe.

Në total, gjashtë anije tregtare janë nxjerrë jashtë funksionit dhe 122 të tjera janë ridrejtuar që nga hyrja në fuqi e bllokadës, sipas Centcom.

Përplasja e fundit ndodhi ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, doli publikisht për herë të parë para Kongresit që nga fillimi i luftës.

Diplomati i lartë deklaroi se negociatorët amerikanë nuk i kanë ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.

“Aktualisht, çdo lehtësim i mundshëm i sanksioneve është i kushtëzuar, që do të thotë se duhet të jetë në këmbim të adresimit të arsyeve pse ato sanksione u vendosën fillimisht, pra programit bërthamor të Iranit,” tha ai.

“Nuk ka më luftë,” shtoi Rubio gjatë një shkëmbimi të tensionuar me një senator, ndërsa ligjvënësit e pyetën për strategjinë amerikane për t’i dhënë fund konfliktit.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika