Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Armend Baloku, ka treguar prioritetet e tij nëse zgjidhet deputet në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të së dielës.
Duke folur për synimet e tij, Baloku tha se synon të jetë i fokusuar kryesisht në fushën e kulturës dhe në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin artistik në vend.
Ai tha se do të jetë i hapur për kërkesat e njerëzve të fushës së kulturës dhe se do të angazhohet për trajtimin e tyre institucionalisht.
“Personalisht do të doja shumë ta kalojë këtë test të dielën jam duke bërë punë tërë kohën dhe po shpresoj që do të jem përfaqësues i tyre. Jam i angazhuar të jem deputet i Kuvendit… Unë thjesht do të jem në parim i fokusuar në fushën e kulturës dhe do të jem i hapur për komunitetin fushës së kulturës kudo që të takohemi mund të më thërrasin në telefon dhe do të procedojë çdo gjë që është kërkesë e tyre”, ka theksuar ai.
Si tri iniciativa të para, Baloku përmendi fokusimin në zhvillimin e kulturës dhe dëgjimin e komunitetit artistik në terren, adresimin e kërkesave të tyre konkrete, si dhe angazhimin në çështjen e Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, për të cilin tha se ka shqetësime nga banorët e Rugovës.
Ai shtoi se do të jetë i angazhuar edhe në temat nacionale me interes të përgjithshëm, duke e konsideruar punën e deputetit si përgjegjësi të vazhdueshme ndaj qytetarëve.
