Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar personi i dyshuar për vrasjen e raportuar të dielën në këtë qytet.
Sipas njoftimit, Departamenti për Krime të Rënda ka iniciuar rast për veprën penale “Vrasja e Rëndë”, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari me inicialet I.S., i cili, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet dhe grumbullimin e provave për zbardhjen e plotë të rastit.
