Bulai: Rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje duhet të jetë “thirrje zgjimi”, Serbia ndërhyri për të ndikuar votën e serbëve të Kosovës

Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Iulian Bulai, tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe pa incidente madhore, por vlerësoi se rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime duhet të shihet si “thirrje zgjimi” për klasën politike.

Pas vizitës vëzhguese të procesit zgjedhor, Bulai në një konferencë për media tha se Kosova u përball me zgjedhje për herë të tretë brenda 16 muajve, si pasojë e mungesës së marrëveshjes politike për zgjedhjen e presidentit.

“Për herë të tretë në 16 muaj, votuesit në Kosovë u thirrën në zgjedhje pas pamundësisë së partive politike për të arritur marrëveshje dhe për të zgjedhur një president, gjë që rezultoi me shpërndarjen e Kuvendit. Delegacioni ynë e mirëpret zhvillimin e rregullt dhe të qetë të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 7 qershor 2026, të cilat u mbajtën pa incidente madhore”, tha ai.

Bulai tha se zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë lodhjeje dhe frustrimi të votuesve, derisa sipas tij, fushata zgjedhore u karakterizua nga mungesa e debateve substanciale dhe zhvendosja drejt komunikimit digjital.

“Këto zgjedhje u zhvilluan në një sfond të frustrimit dhe lodhjes së votuesve. Fushata tradicionale ishte e zbehtë, e karakterizuar nga mungesa e debateve substanciale. U vërejt një zhvendosje drejt fushatës digjitale. Në këtë kontekst, ne i përgëzojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj demokracisë dhe për përfshirjen në këto zgjedhje. Megjithatë, në një vend me histori të pjesëmarrjes së lartë në votime, kjo rënie e ndjeshme e pjesëmarrjes së votuesve duhet të jetë një thirrje zgjimi”, tha ai.

Ai tha se në vendvotimet që delegacioni i PACE-it ka vizituar, procesi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të qetë, megjithëse janë evidentuar disa probleme lidhur me përfaqësimin gjuhësor në komuna të caktuara.

“Në numrin e kufizuar të vendvotimeve që vëzhguam, delegacioni konstatoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe profesionale. Zyrtarët zgjedhorë treguan kompetencë dhe atmosfera ishte e qetë dhe e rregullt, me vendvotime të menaxhuara në mënyrë efektive nga përfaqësues të komuniteteve shumicë dhe joshumicë. Megjithatë, vështirësitë gjuhësore të shkaktuara nga përfaqësimi i pamjaftueshëm i komunitetit që përbën shumicën në disa komuna kanë krijuar disa fërkime në disa raste të pakta. Përfaqësimi i barabartë etnik në komisionet lokale zgjedhore duhet të përmirësohet”, tha ai.

“Po ashtu, gjithëpërfshirja e shumëgjuhësisë mund të përmirësohet. Delegacioni gjithashtu vuri re përmirësime në rregullimin e asistencës për votuesit me nevoja specifike, ndërsa qasja në vendvotime mbetet problem”, tha ai.

Bulai vlerësoi organizimin teknik të zgjedhjeve dhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve.

“Pavarësisht afateve të ngushta, zgjedhjet ishin teknikisht të organizuara mirë dhe gjerësisht gjithëpërfshirëse. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meriton vlerësim për certifikimin gjithëpërfshirës të listave të partive dhe kandidatëve, përfshirë ato të dorëzuara nga partia kryesore e serbëve të Kosovës, Lista Serbe”, tha ai.

Ai tha se është shënuar progres sa i përket numrit të ankesave zgjedhore, por theksoi se ndryshimet e fundit në rregullat e KQZ-së kanë komplikuar regjistrimin e vëzhguesve të shoqërisë civile.

“Ulja e numrit të ankesave të regjistruara nga KQZ-ja dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa sinjalizon progres. Megjithatë, ndryshimet e minutës së fundit në rregullat e KQZ-së e komplikuan regjistrimin e vëzhguesve të shoqërisë civile. Delegacioni mori parasysh disa masa që synonin të parandalonin manipulimin e mundshëm në numërimin e votave preferenciale, një çështje e rëndësishme në zgjedhjet e mëparshme. Prania e vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve në qendrat komunale të numërimit do të jetë kyçe dhe roli i tyre është thelbësor në ruajtjen e transparencës dhe integritetit zgjedhor”, tha ai.

Bulai foli edhe për procesin e votimit të diasporës, duke thënë se ndryshimet e vendimeve të KQZ-së lidhur me dokumentet identifikuese të skaduara kanë shkaktuar konfuzion.

“Një numër rekord i votuesve nga diaspora u regjistrua për këto zgjedhje. Megjithatë, vendimet e KQZ-së që lejonin votimin me dokumente identifikimi të skaduara dhe më pas tërheqja e tyre vetëm disa ditë para zgjedhjeve shkaktuan konfuzion, me KQZ-në që iu drejtua verifikimeve shtesë të fletëvotimeve me postë pas pranimit të tyre në Prishtinë”, tha ai.

Ai tha se delegacioni ka dëgjuar pretendime për keqpërdorim të burimeve shtetërore gjatë fushatës nga qeveria në detyrë.

“Delegacioni dëgjoi nga disa bashkëbisedues se fushata e shkurtër 10-ditore u shoqërua me pretendime për keqpërdorim të burimeve administrative nga qeveria në detyrë, përfshirë shpërndarjen e synuar të ndihmave sociale dhe njoftimin për subvencione për linjat ajrore për diasporën; koha e këtyre masave u perceptua gjerësisht si e destinuar për të përfituar partinë në pushtet”, tha ai.

Bulai ngriti shqetësime edhe për dezinformimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë fushatës zgjedhore.

“Peizazhi mediatik në Kosovë është i larmishëm. Megjithatë, delegacioni pranoi raportime për video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, dezinformim dhe shfaqjen e llogarive të rreme që mund të ndikojnë në vendimmarrjen e informuar të votuesve. Ekzistojnë shqetësime serioze për kapacitetin e kufizuar të vendit për t’u përballur me këto kërcënime dhe mungesën e përgjigjeve adekuate institucionale për largimin e përmbajtjeve të dëmshme”, tha ai.

Ai tha se delegacioni ka vërejtur edhe ndërhyrje nga Serbia për të ndikuar votën e serbëve të Kosovës.

“Për më tepër, u vu re ndërhyrje nga Serbia për të ndikuar votën e serbëve të Kosovës për një parti të caktuar. Veçanërisht shqetësues ishte fakti se informacione të tilla dhe abuzimi online shpesh synonin gratë politikane, duke minuar aftësinë e tyre për të bërë fushatë dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën publike”, tha ai.

Bulai u bëri thirrje partive politike që të angazhohen në dialog konstruktiv për zgjedhjen e institucioneve.

“Delegacioni u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur që të angazhohen në një dialog vërtet konstruktiv, të arrijnë kompromiset e nevojshme për zgjedhjen e shpejtë të presidentit dhe të avancojnë procesin demokratik të vendit”, tha ai.

Ai përgëzoi qytetarët për pjesëmarrjen në procesin demokratik.

“Edhe një herë dua t’i përgëzoj qytetarët e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj demokracisë dhe për gatishmërinë e tyre për t’u dhënë besim atyre që kandidojnë në listat politike për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Bulai tha se, pavarësisht lodhjes së qytetarëve, pjesëmarrja në proceset demokratike në Kosovë mbetet mbresëlënëse.

“Është mbresëlënëse se si një demokraci kaq e re ka një pjesëmarrje kaq entuziaste në proceset demokratike, pavarësisht lodhjes së qytetarëve nga fakti që u kanë besuar politikanëve, ndërsa politikanët nuk kanë arritur të prodhojnë koalicione, kompromise dhe rezultate që do të duhej të kishin çuar në zgjedhjen e shpejtë të kryetarit të Kuvendit dhe të presidentit të vendit”, tha ai.

Në fund, ai përsëriti thirrjen ndaj politikanëve për të nisur dialog serioz dhe për të shmangur zhgënjimin e mëtejshëm të qytetarëve.

“Prandaj, edhe një herë, ne u bëjmë thirrje politikanëve tuaj që ta marrin seriozisht besimin që u është dhënë nga qytetarët e Kosovës dhe të fillojnë një dialog të vërtetë e të sinqertë, të orientuar drejt zgjidhjeve konkrete, me qëllim që të shmanget lodhja dhe zhgënjimi me të cilin qytetarët e Kosovës po përballen aktualisht, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare për herë të tretë brenda më pak se 16 muajve”, tha ai.

Siç ishte njoftuar më 1 qershor, delegacioni shtatëanëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i kryesuar nga Iulian Bulai nga Rumania, qëndroi në Prishtinë nga 5 deri më 8 qershor për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 7 qershor./EO

Të fundit nga rubrika