Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, përfshirë dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje, Haxhiu theksoi se procesi i integrimit duhet të jetë meritokratik dhe i bazuar në përmbushjen e standardeve.
Sipas një komunikate të Presidencës, ajo riafirmoi orientimin e plotë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe përkushtimin për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme.
Haxhiu theksoi se progresi i Kosovës në procesin e integrimit evropian është i matshëm dhe duhet të njihet nga BE-ja.
“Mbi 90 për qind e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes në rajon. Ky përparim është konkret, i matshëm dhe duhet të njihet. Prandaj kjo duhet të çojë në një vendim për statusin e vendit kandidat, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim punën për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, ka pohuar Haxhiu.
Në fjalimin e saj, Haxhiu vuri theksin edhe te rëndësia e integrimit ekonomik rajonal, realizimi i projekteve strategjike infrastrukturore, zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe trajtimi i barabartë i të gjitha vendeve të rajonit në organizatat rajonale.