Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të godasin Iranin “fuqishëm” edhe të mërkurën, pas shkëmbimit të sulmeve mes dy palëve gjatë natës.
“E goditëm rëndë dje dhe do ta godasim sërish sot,” tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale, duke përsëritur gjithashtu thirrjen që Irani të nënshkruajë një marrëveshje.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian reagoi në rrjetin X duke thënë se Irani “do të qëndrojë i palëkundur përballë çdo presioni apo kërcënimi”.
Sipas raportimeve, SHBA ka kryer sulme në Iran pas deklarimeve të Trump se Irani kishte rrëzuar një helikopter të ushtrisë amerikane. Nga ana e tij, Garda Revolucionare iraniane (IRGC) tha se është kundërpërgjigjur duke goditur baza amerikane në rajon.
Më herët, Trump shkroi në rrjetet sociale se Irani “ka marrë shumë kohë për negociata” dhe se tani “do të paguajë çmimin”.
“Janë mposhtur plotësisht ushtarakisht,” shtoi ai.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqai, akuzoi SHBA-në se po dëmton procesin diplomatik përmes “mesazheve kontradiktore dhe shkeljeve të përsëritura të armëpushimit”.
Ai tha se Teherani duhet të rishqyrtojë situatën, duke theksuar se çdo proces diplomatik kërkon stabilitet minimal, raporton BBC.
Paralelisht, ushtria amerikane njoftoi se ka goditur një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, e cila sipas saj po transportonte naftë nga Irani në shkelje të bllokadës. India konfirmoi se tre marinarë janë zhdukur, ndërsa 21 anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar.
Sipas autoriteteve amerikane, cisterna “Settebello” është anija e tetë e goditur në kuadër të operacioneve në rajon.
SHBA ka vazhduar bllokadën ndaj porteve iraniane pas mbylljes së efektshme të Ngushticës së Hormuzit nga Irani, si përgjigje ndaj sulmeve të mëparshme. Centcom tha se sulmet e fundit amerikane kishin në shënjestër sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë dhe qendra komandimi pranë Hormuzit.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane kanë goditur gjithashtu dy rezervuarë uji në jug të vendit, duke lënë mijëra banorë pa ujë të pijshëm për disa orë.
Nga ana tjetër, IRGC tha se ka goditur 21 objektiva amerikanë në rajon, përfshirë baza në Bahrein dhe Jordani, ndërsa Kuvajti raportoi për aktivizimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Sipas Reuters, shumica e raketave dhe dronëve iranianë janë interceptuar, pa raportime për viktima.
SHBA i ka cilësuar sulmet e saj si “përgjigje proporcionale” ndaj incidentit me helikopterin Apache, i cili sipas Trump u godit gjatë patrullimit në Ngushticën e Hormuzit.