Skocia ka regjistruar fitoren e parë në Kupën e Botës pas plot 36 vitesh, duke e mposhtur Haitin me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e Grupit C, të zhvilluar të shtunën.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 28-të nga John McGinn, pas një aksioni të afërt në zonë.
Fillimisht, Che Adams goditi portën, por gjuajtja e tij u prit nga portieri haitian Johny Placide, topi më pas përfundoi te McGinn, i cili goditi drejt portës dhe me devijim e dërgoi në rrjetë.
Më herët, Scott McTominay kishte goditur shtyllën, duke paralajmëruar presionin e vazhdueshëm të skocezëve në pjesën e parë. Në fund, edhe pse Haiti rriti intensitetin dhe krijoi disa raste, portieri i Skocisë Angus Gunn nuk u detyrua të bëjë pritje vendimtare.
Trajneri Steve Clarke tha pas ndeshjes se skuadra e tij ishte “shumë solide në mbrojtje”, edhe pse pranoi se kishte hapësirë për përmirësim në lojën me topin.
Fitorja e vendos Skocinë në krye të grupit, përpara Brazilit dhe Marokut, që kishin barazuar 1:1 në ndeshjen tjetër. Sipas formatit të zgjeruar të FIFA-s, tre pikët e para rrisin ndjeshëm shpresat e skocezëve për kualifikim në fazën eliminatore.
Tifozët skocezë festuan me entuziazëm në fund të ndeshjes, duke kënduar këngën e njohur “Yes Sir, I Can Boogie”.
Skocia do të përballet me Marokun në ndeshjen e radhës, ndërsa Haiti luan kundër Brazilit.
