480 mijë euro për punë administrative, Ministria e Mjedisit synon punësimin e 20 ekspertëve

Demokraci Plus ka kërkuar anulimin e procedurave të prokurimit nga Ministria e Mjedisit përmes të cilave synohet punësimi i 20 ekspertëve për Dhënien e Shërbimeve të Veçanta e të njëjtat rezultojnë të jenë kryesisht punë administrative që duhet të kryhen nga zyrtarë publikë. Vlera e tenderit është gati gjysmë milioni euro.

Përmes kontratës mbi vepër po synojnë punësimin e 20 ekspertëve për dhënien e Shërbimeve të Veçanta në kosto prej 480 mijë euro.

Por, këto të fundit për të cilat Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është në kërkim, rezultojnë të jenë punë që u takojnë zyrtarëve publikë si administrim dokumentacioni, koordinim institucional, organizim takimesh, hartim raportesh, komunikim publik dhe mbështetje teknike administrative.

Kësisoj, organizata Demokraci Plus kërkoi anulimin e këtyre procedurave meqë në to ka shkelje të rregullores për prokurim.

“Problemi me këtë thirrje qëndron që pozita e këtyre punonjësve dhe përshkrimi i detyrave janë detyra të rëndomta të cilat duhet të kryhen nga administrata e ministrisë pra janë detyra të rregullta të stafit civil që duhet të shkoj përmes një procedure të rekrutimit të rregullt dhe jo përmes të shërbimit për marrëveshje të veçanta”, ka thënë Ardit Dragusha nga Demokracia Plus.

Dragusha tha se mes pozitave ka edhe të tilla që janë politike.

“Pastaj është një pozitë ekspert i komunikimit me publikun e cila është edhe më shumë problematike sepse kërkohet që të jetë brenda kabinetit të ministres dhe te përshkrimi thuhet se kjo i raporton ministrit dhe jo sekretarit të rregullt si është stafi i rregullt dhe kjo lë me u nënkuptu se si pozitë është e dedikume për staf politik”, ka shtuar Dragusha.

E, Arbër Kabashi nga INPO thotë që paga mesatare që mund të marr një ekspertë nga kjo kontratë është rreth 1 mijë euro.

“INPO ka analizuar vlerën e secilit lot apo kontraktor individual dhe del të jetë që paga që mund të paguhet një kontraktor nga kjo kontratë mund të jetë deri në 1 mijë euro në muaj e kjo pagë është pagë shumë më e lartë se ajo që merr një zyrtarë i ministrisë i rekrutuar si i rregullt”, ka thënë Kabashi.

Televizioni ka kërkuar një sqarim për këtë çështje edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.

Të fundit nga rubrika