Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se “mund të qëndrojë” për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Iranin, e cila pritet të zhvillohet të premten në Zvicër.
Duke folur në një konferencë për shtyp pas samitit të G7 në Francë, Trump u pyet nëse do të qëndrojë për ceremoninë dhe u përgjigj shkurt: “Mund të qëndroj”, duke shtuar me shaka se nëse marrëveshja dështon, fajin mund ta marrë zëvendëspresidenti JD Vance.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë amerikanë kanë informuar gazetarët mbi përmbajtjen e draft-marrëveshjes me Iranin, e cila përbëhet nga 14 pika kryesore.
Sipas tyre, marrëveshja parashikon përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
Po ashtu, SHBA dhe Irani angazhohen të negociojnë një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.
Në dokument parashikohet heqja e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit brenda 30 ditësh, si dhe tërheqja graduale e forcave amerikane nga afërsia e Iranit.
Një tjetër pikë kyçe është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, e cila pritet të mbetet pa tarifa për 60 ditë, me synimin për një marrëveshje më afatgjatë mes Iranit dhe shteteve të Gjirit.
Sipas draftit, SHBA dhe partnerët rajonalë do të krijojnë një fond prej të paktën 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.
Marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane ndaj Iranit, sipas një afati që do të përcaktohet më vonë.
Në të njëjtën kohë, të dy palët angazhohen që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore dhe të punohet për largimin e materialit të pasuruar bërthamor nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
“Unë jam shefi”, Trump në samitin e G7 kërcënon Iranin dhe kritikon Netanyahun