Elon Musk ka humbur statusin e trilionerit për shkak të rënies së ndjeshme të aksioneve të kompanive SpaceX dhe Tesla gjatë valës së shitjeve që përfshiu tregjet globale të martën.
Sipas Indeksit të Miliarderëve të “Bloomberg”, pasuria neto e Muskut ka zbritur në rreth 957 miliardë dollarë, duke e larguar atë nga pragu prej një trilion dollarësh që kishte arritur vetëm pak javë më parë.
Musku u bë trilioner në fillim të këtij muaji, menjëherë pasi oferta publike fillestare (IPO) e SpaceX vlerësoi kompaninë hapësinore në më shumë se 2 trilionë dollarë.
Megjithatë, optimizmi fillestar është zbehur këtë javë. Aksionet e SpaceX mbyllën tregtimin të martën në rreth 156 dollarë, më shumë se 30 për qind më pak krahasuar me kulmin prej 225 dollarësh të arritur më 16 qershor. Pavarësisht rënies, çmimi mbetet ende mbi nivelin prej 150 dollarësh me të cilin aksionet debutuan në bursë më 12 qershor.
Dokumentet e publikuara para daljes në bursë treguan se SpaceX regjistroi humbje prej 4.9 miliardë dollarësh gjatë vitit 2025, ndërsa segmenti i saj i inteligjencës artificiale shpenzoi 12.7 miliardë dollarë në investime kapitale.
Pavarësisht goditjes së fundit, SpaceX mbetet aseti më i vlefshëm i Muskut. Pjesa e tij në kompani vlerësohet në rreth 744 miliardë dollarë dhe përbën afro 80 për qind të pasurisë së tij totale. Ndërkohë, edhe pjesëmarrja e tij në Tesla, e vlerësuar në rreth 158 miliardë dollarë, është prekur nga rënia e tregjeve.
Megjithatë, Musk vazhdon të mbetet personi më i pasur në botë.