Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka menaxhuar situatën e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve të Vidovdan, të mbajtura sot.
Sipas njoftimit, gjatë ditës, sipas Policisë, nuk është raportuar ndonjë incident serioz që ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve.
Megjithatë, janë shoqëruar në stacion policor 37 persona për intervistim, të cilët dyshohet se kanë provokuar situatën me thirrje nxitëse dhe elemente të urrejtjes.
Një person tjetër është gjobitur për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me organet e drejtësisë, 37 personat e intervistuar janë proceduar në gjykatë dhe janë në pritje të vendimeve përkatëse.
Pas përfundimit të aktiviteteve, pjesëmarrësit janë shpërndarë në mënyrë të qetë gjatë pasdites.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.