Tre persona kanë humbur jetën gjatë festimeve masive në qytetin e Meksikës pas fitores së Meksikës 2–0 ndaj Ekuadorit, që i siguroi vendit kualifikimin historik në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës.
Autoritetet shëndetësore në kryeqytetin meksikan kanë bërë të ditur se viktimat janë një vajzë 19-vjeçare, një grua 48-vjeçare dhe një burrë 44-vjeçar. Sipas tyre, të tre kanë ndërruar jetë si pasojë e mbytjes (asfiksisë) gjatë turmave të mëdha që u krijuan në qendër të qytetit.
Ngjarja ndodhi kryesisht pranë monumentit “Angel of Independence” dhe përgjatë bulevardit Paseo de la Reforma, ku më shumë se një milion persona dolën për të festuar fitoren historike – të parën e Meksikës në një ndeshje eliminatore të Kupës së Botës që nga viti 1986.
Shërbimet emergjente kanë ndërhyrë në disa lokacione pasi disa persona u gjetën pa ndjenja. Ata u transportuan në spital, por mjekët konfirmuan më vonë vdekjen e tyre, raporton BBC.
Kryetarja e qytetit, Clara Brugada, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe bëri thirrje që festimet të zhvillohen me përgjegjësi dhe kujdes.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të festojnë gjithmonë me përgjegjësi, kujdes dhe empati”, deklaroi ajo në një reagim publik.
Fitorja e Meksikës solli festime të mëdha në stadiumin Azteca dhe në shumë zona të kryeqytetit, ndërsa autoritetet kishin paralajmëruar më herët për rrezikun e grumbullimeve të mëdha përreth qendrës së qytetit.
Meksika tashmë kalon në fazën e 1/8 së finales, ku mund të përballet me Anglinë nëse kjo e fundit mposht DR Kongon.