SHBA tërheq shumicën e trupave nga Nigeria pas operacionit kundër Shtetit Islamik

Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr shumicën e trupave që vendosën në Nigeri në fillim të këtij viti për të mbështetur luftën kundër grupeve militante islamiste.

Në dhjetor, forcat amerikane dhe ato nigeriane nisën një operacion të përbashkët në rajonin e Liqenit Çad, i cili përfshiu sulme ndaj militantëve gjatë ditës së Krishtlindjes, ndërsa rreth 200 ushtarë amerikanë u dislokuan në Nigeri dy muaj më vonë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Gjatë operacionit disa mujor u vra një nga drejtuesit e lartë të Shtetit Islamik (IS), Abu-Bilal al-Minuki.

Të enjten, SHBA deklaroi se misioni kishte qenë i suksesshëm, ndërsa zëdhënësi i ushtrisë nigeriane tha për BBC se largimi i ushtarëve amerikanë “nuk do të ndikojë në ritmin e operacioneve tona në asnjë mënyrë”.

Megjithatë, pavarësisht operacionit, grupet xhihadiste vazhdojnë të kryejnë sulme, veçanërisht në verilindje të Nigerisë.

Gjeneralmajori Michael Onoja tha se bashkëpunimi në shkëmbimin e informacioneve inteligjente mes dy vendeve do të vazhdojë, gjë që u konfirmua edhe nga ushtria amerikane.

Bashkëpunimi ushtarak mes Nigerisë dhe SHBA-së u forcua pasi Uashingtoni akuzoi autoritetet nigeriane se nuk po bënin mjaftueshëm për të mbrojtur grupet e cenueshme nga militantët islamistë dhe pretendoi se në vend po zhvillohej një “gjenocid ndaj të krishterëve”.

Nigeria e ka hedhur poshtë me vendosmëri këtë pretendim, duke theksuar se dhuna është shumë më komplekse dhe prek njerëz nga të gjitha komunitetet fetare.

Organizatat që monitorojnë dhunën politike në Nigeri thonë se shumica e viktimave të grupeve xhihadiste janë myslimanë, pasi këto grupe veprojnë kryesisht në veri të vendit, ku popullsia është kryesisht myslimane.

Në fillim të këtij viti, SHBA njoftoi dërgimin e rreth 200 ushtarëve për të mbështetur përpjekjet e Nigerisë kundër kryengritësve, duke theksuar se ata nuk do të merrnin pjesë në luftime tokësore.

Duke njoftuar tërheqjen e shumicës së këtyre trupave, komandanti i Forcave Ajrore Amerikane në Afrikë, Gjenerali Dagvin Anderson, tha se operacioni kishte qenë i suksesshëm dhe se drejtimi i Shtetit Islamik në Nigeri ishte dobësuar ndjeshëm.

Sipas analistëve, rreth 90% e sulmeve të Shtetit Islamik tashmë ndodhin në Afrikën Sub-Sahariane, ndërsa dega e tij në Nigeri është më aktivja.

Anderson shtoi se operacioni i përbashkët kishte dëmtuar si strukturën lokale të komandës së grupit, ashtu edhe lidhjet e tij me rrjetin global, duke kufizuar aftësinë për komunikim.

Pavarësisht tërheqjes së fundit, personeli ushtarak amerikan që ndodhej në Nigeri para nisjes së operacionit në rajonin e Liqenit Çad do të vazhdojë të qëndrojë në vend, tha për BBC zëdhënësi ushtarak Gjeneralmajor Samaila Uba.

Nigeria vazhdon të përballet me sfida të shumta të sigurisë. Përveç militantëve islamistë, vendi përballet edhe me banditizëm dhe krim të organizuar, të cilat janë përhapur nga veriu drejt pjesëve qendrore dhe jugore të vendit.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika