Miliona persona në Bregun Lindor të SHBA-së po përballen me temperatura rekord ndërsa vendi nis fundjavën e festës së **4 Korrikut**, në një valë të fortë dhe të rrezikshme të të nxehtit.
Sipas autoriteteve meteorologjike, vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe të premten, me temperatura që në disa zona nuk janë regjistruar prej dekadash, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Situata mund të ndikojë edhe në ngjarjet masive të fundjavës, përfshirë festimet për 250-vjetorin e Amerikës dhe ndeshje të Kupës së Botës që zhvillohen në ambiente të hapura.
Ky mot ekstrem vjen pas një periudhe të ngjashme me temperatura rekord në Evropë, duke theksuar një trend global të valëve të të nxehtit.
Në Bregun Lindor, rreth 25 milionë njerëz janë të prekur nga temperaturat e larta dhe lagështia e rëndë. Në New York City, termometri arriti në 38°C, dita më e nxehtë që nga viti 2012, ndërsa në Filadelfia u regjistruan 39°C, temperatura më e lartë që nga viti 2011.
Në Uashington, pritet që të regjistrohen deri në katër ditë rresht me temperatura rreth 38°C, një dukuri e rrallë për kryeqytetin amerikan.
Autoritetet lokale kanë paralajmëruar për rrezik të lartë. Kryetari i New York City-t, Zohran Mamdani, i përshkroi kushtet si “jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbajë një fjalim në një ceremoni të 4 Korrikut në ambiente të hapura, pavarësisht paralajmërimeve për vapë ekstreme.
Sinoptikanët paralajmërojnë gjithashtu për stuhi të forta në disa rajone të SHBA-së, të cilat mund të sjellin breshër, erëra të fuqishme, përmbytje të menjëhershme dhe madje edhe tornado.
Në Kanada, situata është po ashtu shqetësuese, me temperatura që arrijnë mbi 30°C në Ontario dhe paralajmërime për vapë në Quebec, përfshirë Montrealin dhe Quebec City-n. Mbi 50,000 familje mbetën pa energji elektrike pas stuhive të forta.
Ekspertët theksojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta, më të forta dhe më të gjata si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.