Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të ndara në shtëpi të pabanuara, ku janë gjetur dhe konfiskuar armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake.
Në rastin e parë, janë sekuestruar 432 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 18 fishekë të kalibrit të panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe hetimet janë duke vazhduar nga ekipet relevante policore.
Në rastin e dytë, policia ka gjetur dhe konfiskuar 204 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 56 gëzhoja, një bajonetë, një maskë ushtarake dhe tri pajisje ushtarake për ushqim. Prokurori është njoftuar dhe ka urdhëruar fillimin e hetimeve.
Ndërsa në rastin e tretë, janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore, 31 fishekë si dhe disa para të vjetra jugosllave. Edhe për këtë rast është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitë kompetente.