Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të ndërmarrë masa të veçanta sigurie me rastin e kalimit transit nëpër Kosovë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Sipas njoftimit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe janë angazhuar njësitë përkatëse policore për të garantuar sigurinë e eskortës presidenciale, si dhe zhvillimin normal të qarkullimit rrugor.
Për të mundësuar lëvizjen e lirë të eskortës, Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të trafikut, në intervale të shkurtra kohore, në disa segmente rrugore përgjatë itinerarit nga Pika e Kalimit Kufitar në Vërmicë deri te Pika e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë, si dhe në drejtimin e kundërt gjatë kthimit, po në të njëjtën ditë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në disa raste trafiku mund të riorientohet në rrugë alternative, varësisht nga situata në terren.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë gjatë kohës së zbatimit të këtyre masave.
