BE-ja nuk arrin konsensus për hapjen e kapitujve të rinj me Serbinë

Nuk ka konsensus mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, konfirmuan burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë.

Kundërshtimet lidhen kryesisht me mungesat në fushën e sundimit të ligjit, mosrreshtimin e Serbisë me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, si dhe mungesën e përkushtimit të mjaftueshëm ndaj procesit të integrimit evropian.

Krahas këtyre shqetësimeve, në debatin evropian janë ngritur edhe çështje të sigurisë që lidhen me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.

Parlamenti Evropian dënon faktin që Serbia është shndërruar në një bazë për aktivitetet e shërbimeve ruse të inteligjencës në Evropë dhe shpreh shqetësim të madh për raportet e besueshme se ajo është bërë një qendër e rëndësishme operative për aktivitetet hibride dhe destabilizuese të Rusisë, përfshirë organizimin e provokimeve, nxitjen e tensioneve etnike dhe fetare në shtetet anëtare të BE-së, si dhe trajnimin dhe dërgimin e individëve për veprime destabilizuese në Evropë dhe në rajonet fqinje.

Në rezolutat e tij, Parlamenti Evropian ka kritikuar gjithashtu blerjen nga Serbia të raketave balistike kineze ajër-tokë CM-400AKG, duke vlerësuar se një armatim i tillë mund të ndikojë në ekuilibrin e sigurisë në rajon dhe ngre pikëpyetje për orientimin gjeopolitik të Beogradit.

“Dënohet ashpër blerja e fundit të raketave balistike kineze ajër-tokë CM-400AKG, duke paralajmëruar se një armatim i tillë cenon ekuilibrin rajonal të sigurisë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me vendet anëtare të NATO-s. Një blerje e tillë bie ndesh me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ngre pyetje serioze për orientimin gjeopolitik të Serbisë”, thuhet në rezolutë.

Këto janë mesazhe shumë të qarta dhe të drejtpërdrejta.

Disa shtete të tjera anëtare të BE-së nuk e kanë kundërshtuar hapur hapjen e klasterit 3, por kanë vlerësuar se kushtet ende nuk janë përmbushur. Edhe ato kanë ngritur shqetësime për sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë.

Komisioni Evropian kishte rekomanduar që Serbisë t’i mundësohej hapja e këtij klasteri gjatë muajit korrik, por pas diskutimeve mes vendeve anëtare, u konstatua se mungon ende konsensusi i nevojshëm për këtë hap.

Përpjekje që edhe Serbia të bëhej pjesë e “Super të martës”

Institucionet evropiane, të cilat janë angazhuar për t’i dërguar një sinjal pozitiv Serbisë, synonin që më 14 korrik të mbahej një konferencë ndërqeveritare me Serbinë, ku do të hapej klasteri 3.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Super e martë”, kur pritet të mbahen të paktën tri, e ndoshta edhe katër konferenca ndërqeveritare – me Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe, nëse plotësohen kushtet, edhe me Shqipërinë.

Qëllimi i institucioneve evropiane ishte që në rendin e ditës të përfshihej edhe një konferencë e pestë ndërqeveritare – me Serbinë.

Vogel: BE-ja duhet të jetë më e vendosur ndaj Vuçiqit

Toby Vogel, ekspert në Këshillin për Politikat e Demokratizimit, vlerëson se shtetet anëtare të BE-së kanë vepruar drejt duke mos miratuar hapjen e klasterit 3 me Serbinë.

Sipas tij, thelbi i metodologjisë së re të zgjerimit është që përparimi në fusha të tjera të varet nga përparimi në reformat themelore, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

“Ne të gjithë e dimë se në Serbi ka pasur regres në standardet dhe zhvillimet demokratike, që janë në kundërshtim me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj, Serbia nuk duhet të përparojë as në fusha të tjera”, thotë Vogel për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo është një qasje plotësisht e saktë. Mendoj se Bashkimi Evropian, në përgjithësi, duhet të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiq”, shton ai.

Përpjekjet vazhdojnë, por pa shenja për marrëveshje

Aktualisht, nuk dihet nëse Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së do ta rikthejë sërish në rend dite çështjen e hapjes së klasterit 3 me Serbinë.

Hapja ose mbyllja e kapitujve është e mundur vetëm me pëlqimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Përpjekjet për të siguruar mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare do të vazhdojnë, pasi disa diplomatë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, besojnë se një pjesë e vendeve që aktualisht kanë rezerva, mund ta ndryshojnë qëndrimin.

Sipas tyre, disa shtete druajnë se bllokimi i Serbisë mund të ketë pasoja edhe për procesin e negociatave me Ukrainën.

Megjithatë, burimet e Radios Evropa e Lirë paralajmërojnë se, edhe nëse disa nga shtetet që aktualisht kanë rezerva do ta ndryshonin qëndrimin, kjo nuk do të mjaftonte për të arritur konsensus.

Sipas tyre, numri i vendeve që kundërshtojnë hapjen e klasterit 3 me Serbinë mbetet ende i lartë, ndërsa kundërshtimet e tyre lidhen me çështje thelbësore.

Për këtë arsye, ato nuk presin ndonjë ndryshim të konsiderueshëm të situatës deri javën e ardhshme.

Shija e redaktorit

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Të fundit nga rubrika