Tre të akuzuarit në rastin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Pas deklarimeve rreth fajësisë, prokurori special Bekim Kodraliu ka nisur paraqitjen e fjalës hyrëse, duke thënë se ky rast paraqet një sulm të organizuar mirë dhe se përmes provave që do të administrohen gjatë procesit gjyqësor do të dëshmohet përgjegjësia e të akuzuarve.
Kodraliu tha se Prokuroria do të paraqesë prova për trajnimet dhe përgatitjet që, sipas tij, janë zhvilluar në poligonin ushtarak “Livadhet e pasulit” në Serbi.
Ai ka thënë se ky poligon dyshohet se lidhet edhe me aktivitete të tjera të kundërligjshme ndaj institucioneve të Kosovës, duke përfshirë edhe pretendime për ekzistencën e varrezave masive.
Prokurori po ashtu ka theksuar se nga provat që kanë siguruar, e që do të prezantohen gjatë këtij gjykimi dhe provat e rasteve të mëhershme, do të vërtetohet se Qeveria e Serbisë ka pasur një rol kyç në këto përgatitje.
“Prokuroria do të paraqesë para jush lidhur me trajnimet dhe përgatitjet që janë zhvilluar në poligonin ushtarak të quajtur ‘Livadhet e pasulit’ në Republikën e Serbisë, ku tashmë dyshohet se ka edhe varreza masive. E gjithë kjo si pjesë e përgatitjeve për aktivitete të kundërligjshme ndaj shtetit të Republikës së Kosovës. Nga provat që kemi siguruar dhe që do të prezantohen para jush, por edhe nga provat e rasteve të mëhershme, do të vërtetohet se qeveria e Serbisë ka pasur rol kyç në këto përgatitje”, ka deklaruar Kodraliu, raporton ekipi në terren i TV Dukagjinit.
Nis shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc