Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se sistemit publik shëndetësor i janë shtuar 17 anesteziologë të rinj, duke forcuar kapacitetet profesionale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme.
Sipas njoftimit të ShSKUK-së, anesteziologët janë pjesë kyçe e funksionimit të sistemit shëndetësor, pasi ofrojnë shërbime pandërprera në çdo ndërhyrje kirurgjikale, në njësitë e kujdesit intensiv, si dhe në trajtimin e rasteve urgjente, njofton Dukagjini.
Tutje vlerësohet se angazhimi i 17 specialistëve të rinj do të rrisë mbështetjen për sallat operative, repartet e emergjencës, njësitë e kujdesit intensiv dhe shërbimet e tjera spitalore, duke ndikuar në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
ShSKUK u ka uruar mirëseardhje anesteziologëve të rinj dhe ka shprehur mirënjohje për angazhimin e tyre, duke theksuar se përforcimi i stafit profesional mbetet një hap i rëndësishëm në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor në institucionet publike.