Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka deklaruar se pas mbledhjes së Kryesisë së partisë do të bëhen publike qëndrimet për temat e diskutuara, përfshirë edhe mundësinë e një takimi me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me çështjen e presidentit.
Duke folur para gazetarëve, Ferati tha se fillimisht Kryesia do të zhvillojë diskutimet dhe më pas do të njoftojë opinionin për vendimet e marra.
I pyetur për nismën për mbledhjen e nënshkrimeve që synon largimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Ferati mohoi se bëhet fjalë për një proces shkarkimi.
“Nuk e besoj, nuk e besoj që delegatët e LDK-së kanë me e shkarkuar kryetarin, s’ka pasur kurrë si praktikë. Edhe e kisha lutur edhe mediat edhe analistët edhe organizatorët besoj që me pasur kujdes qysh po i emërtojnë iniciativat që i kanë marrë. Nuk ka shkarkim, ka iniciativa demokratike, të cilat njerëzit kanë drejtë me i marrë edhe me u vazhduar me një procedurë deri sa të mbërrijnë me i finalizuar, nëse mbërrijnë”, tha ai.
Ferati shtoi se në mbledhjen e Kryesisë do të trajtohen të gjitha temat që janë të rëndësishme për LDK-në, ndërsa theksoi se partia vendimet i merr përmes organeve të saj.
“LDK-ja i ka institucionet e veta dhe vendimet merren në këto institucione. Do të diskutojmë të gjitha çështjet që janë temë për LDK-në”, u shpreh ai.
Ai tha se nuk pret që iniciativa ndaj Abdixhikut të krijojë një precedent brenda partisë, duke theksuar se LDK-ja ka respektuar gjithmonë procedurat e saj të brendshme.
“Besoj se nuk do të krijohet një precedent i tillë. LDK-ja ka nevojë për unitet dhe jam i bindur se edhe nga kjo mbledhje do të dalin qëndrime në këtë frymë. U bëj thirrje edhe atyre që janë pjesë e kësaj nisme, por edhe mediave, të kontribuojnë në uljen e tensioneve”, deklaroi Ferati.
Sipas tij, përkatësia në LDK nuk përcaktohet nga drejtuesit e partisë.