Me thirrje për ruajtjen e së vërtetës historike, drejtësi për viktimat dhe kundërshtim të mohimit të krimeve, u shënua Dita Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, e cila është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si ditë përkujtimore për viktimat e gjenocidit të vitit 1995.
Ceremonia u organizua nga ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilja Rexhepi, për të nderuar viktimat e gjenocidit, për të afirmuar të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe për të përcjellë mesazhin për paqe. Në kuadër të aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar shtatëminutësh kushtuar masakrës së Srebrenicës.
Këtë masakër si simbol të një prej krimeve më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore e përshkroi Rexhepi, duke theksuar se gjenocidi nuk mund të relativizohet apo të harrohet.
Ajo shtoi se edhe tri dekada pas krimit vazhdon mohimi i gjenocidit duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të heshtë përballë kësaj tragjedie.
Në të njëjtën frymë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Kosova qëndron pranë Bosnjë e Hercegovinës dhe familjeve të viktimave, duke nënvizuar se pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi dhe as paqe.
Mesazhin se mohimi i gjenocidit nuk cenon vetëm të kaluarën, por rrezikon edhe të ardhmen, e përcolli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Mysafir në këtë ceremoni ishte edhe deputeti i Kuvendit të Bosnjë e Hercegovinës, Xhemal Smajiq.
Ai tha se përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë tregon se rreziku mbetet i pranishëm sa herë që krimet mohohen dhe ideologjitë e urrejtjes e të përçarjes nuk ndalen.
Nga ana tjetër, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se rezolutat e propozuara prej vitesh në Kuvendin e Serbisë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë nuk janë lejuar as të diskutohen.
Gjenocidi i Srebrenicës, i kryer në korrik të vitit 1995, është njohur nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid. Mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa 11 korriku shënohet tashmë në nivel ndërkombëtar si ditë përkujtimore për viktimat e këtij krimi./KP