Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF), Valdet Hashani, ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë muajve të verës, duke theksuar rrezikun nga gastroenteritet verore, temperaturat e larta dhe ekspozimi ndaj diellit.
Hashani në një intervistë për Ekonomia Online, tha se qytetarët, veçanërisht bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë dhe në bregdetin shqiptar, duhet të shmangin ushqimet që kontaminohen lehtë dhe të kenë kujdes të shtuar me produktet e qumështit dhe të mishit.
“Pyetjen që shtruat në lidhje me preventivimin ose parandalimin e rasteve të cilat mund të jenë gjatë verës, ose gastroenteriteve verore, ashtu siç quhen, e sidomos në rastet kur kemi shtim të numrit të qytetarëve tanë, bashkëatdhetarëve tanë të diasporës, të cilët vijnë dhe i kalojnë pushimet qoftë këtu apo edhe në bregdetin shqiptar. Fillimisht janë tri komponentë. Domethënë, është komponenta që duhet të kujdesen për vetveten, që mos të vishen me rroba të errëta, por të vishen me rroba të çelëta, me ngjyra të çelëta, të bardha ose ngjyra të tjera, me qëllim të absorbimit më të vogël të dritës. Pastaj të ushqehen me ushqime të cilat, mundësisht, nuk kontaminohen. Domethënë, t’u ikin produkteve të qumështit, produkteve të mishit, produkteve… Për shembull, akulloret. Është stafilokoku dhe streptokoku, të cilët gjenden ose shtohen shumë shpejt në akullore. Edhe akulloret, kur jemi qoftë këtu apo në bregdet, duhet të kemi kujdes se ku i blejmë, meqë mosruajtja e mirë në frigorifer e akulloreve çon në një gastroenterit, e cila pastaj mund të jetë problematike edhe për familjen, por edhe për personin si i sëmurë, pikërisht për shkak se është sëmundje kontagjioze dhe mund t’i infektojë edhe anëtarët e tjerë të familjes”, tha ai.
Ai theksoi rëndësinë e konsumimit të ujit dhe shmangien e pijeve energjike dhe atyre me gaz gjatë ditëve me temperatura të larta.
“Çështje tjetër, e cila është në këtë kontekst, është marrja e sasive të lëngjeve. Kur po flasim për lëngje, nuk flasim për lëngje energjike ose për këto që janë me gaz, por flasim për lëngje natyrale. Po çka është më e mira, është uji. Rehidrimi i organizmit me ujë është mënyra më e mirë e mundshme. Ose, nëse nuk teprohet, edhe me birrë, por kuptohet se birra është… për shkak se, nëse konsumohet sasi më të mëdha, alkooli prezent mund të ketë edhe pak ndikim tjetër në temperaturat e larta”, tha ai.
Hashani ngriti shqetësimin edhe për rastet kur fëmijët apo edhe kafshët shtëpiake lihen në automjete të mbyllura gjatë temperaturave të larta.
“Problem tjetër në këtë fazë është edhe zakonisht kur dalin këta që vijnë prej Perëndimit ose vijnë për pushime, ndalen nëpër stacionet e ndryshme për të marrë ushqim ose diçka dhe i lënë fëmijët në kerr ose në veturën e tyre. Në ato temperatura, mbyllja e fëmijëve ose edhe e kafshëve shtëpiake në vetura është vdekjeprurëse. Duhet të kenë kujdes, domethënë, edhe për ata të tjerët, të cilët, qoftë edhe kur mendojnë se shkojnë për dy-tre minuta për ta furnizuar familjen, mund të qëndrojnë më shumë për shkak se u del ndonjë punë, ndërsa në veturë i kanë anëtarët e familjes. Domethënë, me pasur kujdes edhe për kohën sa ekspozohen ata të mbyllur në makinë në këto temperatura”, tha ai.
Sipas tij, qytetarët duhet të shmangin ekspozimin në diell gjatë intervalit kohor nga ora 10:00 deri në 17:00 dhe të përdorin kremra mbrojtës me faktor të lartë, sidomos tek fëmijët.
“Çështje tjetër shumë me rëndësi është kur i ekspozohen rrezatimit të diellit. Kur dihet se piku i diellit, nga ora 10:00 deri në orën 17:00, është ai kur nuk është mirë që të rrezatohen ose të rreziten. Është mirë që në këtë periudhë të hyjnë në vendet ku janë më të freskëta, të freskohen me lëngje dhe të kenë kujdes në ruajtjen e lëkurës. Domethënë, është tash komponenta tjetër, e cila duhet të jetë patjetër me kremra që kanë faktorë të lartë. Janë mbi 30 ose mbi 50 për fëmijët, me qëllim që të mbrohet lëkura nga ekspozimi i drejtpërdrejtë i diellit, meqë këto dëshirat tona për t’u rrezitur e kanë edhe një faktor tjetër të rrezikut, meqë edhe proceset malinje të lëkurës paraqiten pikërisht për shkak të ekspozimit pa mbrojtje ose me intervale pak më të gjata. Domethënë, duhet të kemi kujdes. Në veçanti, në këtë kategori duhet të fusim fëmijët, të cilët janë deri në 5 vjeç, por sidomos ata të cilët kanë sëmundje kronike, qofshin ato kardiovaskulare, respiratore e kështu me radhë, por edhe ata të cilët janë më të moshuar dhe që duhet ta dinë se ekspozimi në rrezet e diellit duhet të jetë pas orës 17:00 ose deri në orën 10:00 të mëngjesit”, tha ai, për Ekonomia Online.
Ai bëri të ditur se QKMF-ja ka publikuar edhe një revistë verore me këshilla për mbrojtjen nga temperaturat e larta dhe ekspozimi në diell.
“Në lidhje me këto këshilla, ose këshillat për mbrojtjen nga të nxehtit, nuk e di sa jeni të informuar, ne e kemi një revistë të cilën e kemi tremujore. Katër revista brenda vitit dalin, domethënë e pranverës, e verës, e vjeshtës dhe e dimrit. Koincidoi që doli nga shtypi, nga botimi, kjo revista e fundit verore, ku në fund të revistës i kemi bërë disa këshilla për mbrojtje nga dielli, të cilat mund të gjenden edhe në uebfaqen tonë ose edhe në Facebook-un e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Kjo revistë është revistë e kryeqytetit, mirëpo ka të dhëna dhe informacione që janë në funksion të promovimit dhe edukimit shëndetësor për popullatën, jo vetëm të kryeqytetit, meqë ju e dini se ne kemi edhe një numër të caktuar të pacientëve të cilët vijnë jo vetëm nga kryeqyteti, për shkak se janë të vendosur në kryeqytet për shkak të punës ose angazhimeve të tjera”, tha ai.
Hashani tha se QKMF-ja është e përgatitur për fluksin e mundshëm të pacientëve gjatë sezonit veror dhe se është hapur konkursi për staf të ri shëndetësor.
“Mirëpo, sa i përket pyetjes krejt në fund në lidhje me përgatitjen tonë, se sa jemi të përgatitur, ne realisht jemi në çdo kohë të përgatitur. Keni parasysh se jemi në fillim të hapjes së një konkursi për mjekë dhe infermierë, domethënë për personel shëndetësor, që për shkaqe subjektive dhe objektive është shtyrë, edhe për shkak të zgjedhjeve, disa herë. Tani shpresojmë që brenda disa muajve do ta kemi numrin e caktuar dhe nuk do të kemi problem në lidhje me stafin. Por të jeni të bindur se ne do të mundohemi, si kryeqytet, si QKMF, si Drejtori e Shëndetësisë, që në çdo kohë, në secilën qendër të mjekësisë familjare, të kemi numër të mjaftueshëm të personelit. Nëse na nevojitet staf për shkak të rrethanave të caktuara, ne do t’i thërrasim edhe nga pushimi”, tha ai.
Sipas tij, aktualisht nuk ka probleme me menaxhimin e pacientëve dhe shërbimet po ofrohen pa vështirësi, ndërsa në të ardhmen mjekësia familjare pritet të kalojë në sistemin njëndërrimësh.
“Realisht, në qoftë se nuk rriten flukset, ne nuk e kemi ndonjë problem. Kemi një distribuim shumë të mirë të mjekëve, kemi një marrëveshje xhentëllmene në mes kolegëve që i zëvendësojnë nga qendra në qendër dhe deri më tani nuk kemi pasur ndonjë problem, përfshirë edhe ndërrimet e natës, meqë ju e dini që Prishtina, në tri qendra, punon me shërbim 24-orësh. Deri në një moment të caktuar, kur Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet udhëzimit administrativ, është duke u përgatitur, është duke e përditësuar që mjekësia familjare të kalojë tani në sistemin e Perëndimit, sistem njëndërrimësh. Domethënë, nga ora 7:00 deri në orën 15:00, ose nga ora 8:00 deri në orën 16:00. Gjithashtu, shërbimet e tjera nuk janë mjekësi familjare, domethënë ato që kanë nevojë për urgjencë. Atëherë, Prishtina, ju e dini, e ka edhe Qendrën e Mjekësisë Urgjente, e cila është pjesë e ndarë prej QKMF-së, por e kemi edhe Urgjencën e Qytetit”, tha ai.
“Krejt në botën perëndimore, por edhe aty ku koncepti i mjekësisë familjare është përqafuar mirë dhe funksionon mirë, mjekësia familjare funksionon si shërbim njëndërrimësh, me orar tetë orësh, një ndërrim. Dhe kjo besoj që edhe për këtë çështje duhet mirëkuptim i qytetarëve, meqë edhe përcaktimi ose caktimi i termineve është plotësisht normal. Asnjë mjek dhe infermier rastet që nuk janë me termin të caktuar nuk i kthejnë, por i kontrollojnë aty për aty. Por, në rastet kur ato nuk janë urgjente, sigurisht se mund të presin edhe nesër ose pasnesër. Kemi, për shembull, bërjen e analizave të ndryshme, marrjen e strishove të ndryshme për teste e kështu me radhë, të cilat nuk janë urgjencë, ose edhe kontrollet, ose menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse, siç janë diabeti, hipertensioni, astma, por edhe proceset malinje, të cilat mund të menaxhohen jashtëzakonisht mirë edhe me një termin të caktuar, por jo ato që kanë nevojë për trajtim aty për aty”, tha ai.