Të paktën 99 persona kanë humbur jetën nga mbytja në ujë gjatë muajit qershor në Gjermani, në një prej bilanceve më të larta të regjistruara në më shumë se dy dekada. Shumica e viktimave ishin burra të rinj, njoftuan autoritetet, ndërsa temperaturat e larta kanë përfshirë një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore.
Sipas të dhënave zyrtare të Federatës Gjermane të Shpëtimtarëve (DLRG), numri i viktimave u rrit ndjeshëm gjatë valës së të nxehtit, kur në disa zona të vendit temperaturat arritën deri në 41.7 gradë Celsius.
Nga 99 personat që humbën jetën, 40 ishin nën moshën 30-vjeçare, duke përbërë grupin më të madh sipas moshës. Mbi 90 për qind e viktimave ishin meshkuj.
DLRG tha se Gjermania nuk kishte regjistruar një numër kaq të madh të mbytjeve që nga vala e të nxehtit në qershor të vitit 2003, kur humbën jetën 107 persona.
Vdekjet nga mbytja janë rritur edhe në vende të tjera të Evropës gjatë periudhës së temperaturave ekstreme. Në Francë, ministrja e Sportit, Marina Ferrari, deklaroi se 131 persona kanë vdekur nga mbytja që nga 19 qershori.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se më shumë se 1 mijë e 300 persona në Evropë kanë humbur jetën gjatë fillimit të verës për shkak të temperaturave ekstreme.
Instituti kryesor gjerman i shëndetit publik, Instituti Robert Koch, raportoi gjithashtu se këtë vit janë regjistruar të paktën 5 mijë e 120 vdekje të lidhura me të nxehtin, shumica gjatë muajit qershor. Rreth 4 mijë e 270 prej viktimave ishin persona mbi 75 vjeç.
Ekspertët klimatikë paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin shpeshtësinë dhe intensitetin e fenomeneve ekstreme të motit, përfshirë valët e të nxehtit dhe zjarret.
Franca përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë vit
Edhe Franca është përfshirë nga temperaturat e larta, ku një pjesë e madhe e vendit është vendosur në nivelin më të lartë të alarmit për vapën.
Të shtunën dhe të dielën, Kulla Eiffel në Paris do të mbyllet më herët, në orën 16:00, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara. Monumenti 330 metra i lartë zakonisht qëndron i hapur deri pas mesnatës gjatë sezonit turistik.
Masa të ngjashme janë marrë edhe nga dy prej muzeve më të vizituara të Parisit, Luvri dhe Musée d’Orsay, të cilët kanë njoftuar orare të reduktuara për shkak të vapës ekstreme.
Ndërkohë, organizatorët e garës së çiklizmit Tour de France kanë vendosur të shkurtojnë etapën e së dielës me 30 kilometra për shkak të temperaturave të larta. Sipas organizatorëve, kjo është hera e parë në historinë e garës që një etapë shkurtohet për shkak të vapës./TheGuardian