Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer një valë të re sulmesh, duke thelluar përshkallëzimin e konfliktit dhe duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme të arritur mes dy vendeve në qershor.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se të dielën në mbrëmje nisi një seri të re sulmesh ndaj Iranit, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë, si dhe kapacitete raketore dhe të dronëve.
Sipas CENTCOM-it, operacioni synon të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht, siç thuhet, “agresionit, kërcënimeve dhe deklaratave arbitrare të Iranit”.
Pak minuta para njoftimit amerikan, televizioni shtetëror iranian raportoi shpërthime në Sirik, Qeshm, Bandar Abbas dhe Jask.
Agjencia shtetërore IRNA njoftoi se nga sulmet amerikane në jugperëndim të Iranit u vra një person dhe katër të tjerë mbetën të plagosur, duke cituar zyrtarë lokalë në provincën Khuzestan.
Vetëm disa orë më vonë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte kryer sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrejn, në shenjë kundërpërgjigjeje.
Përshkallëzimi i ri ka shtuar pasigurinë rreth marrëveshjes së përkohshme SHBA-Iran, ndërsa palët vazhdojnë të japin deklarata kontradiktore për statusin e Ngushticës së Hormuzit. Irani pretendon se e ka mbyllur këtë rrugë strategjike detare deri në një njoftim të ri, ndërsa SHBA këmbëngul se trafiku detar vazhdon normalisht.
Tensionet kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u rrit me 4.3%, duke arritur në 79.26 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit po ashtu me 4.3%, në 74.50 dollarë për fuçi.
Vala e fundit e sulmeve vjen pasi CENTCOM njoftoi një ditë më parë se kishte goditur 140 objektiva ushtarake iraniane, ndërsa Irani iu përgjigj me sulme ndaj bazave amerikane dhe aleatëve të Uashingtonit në rajon.