Një person është gjobitur me 400 euro pasi i kishte mundësuar një fëmije 12-vjeçar të drejtonte një automjet në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është zbuluar pas një video-incizimi të dërguar nga qytetarët përmes postës elektronike në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ku shihej një person madhor duke e lejuar të miturin të ulej në ulësen e shoferit dhe të drejtonte automjetin, ndërsa ai vetë e incizonte ngjarjen.
“Si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët, më datë 09.07.2026, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka pranuar një video-incizim përmes postës elektronike ku shihej një person madhor në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, që i kishte mundësuar fëmijës së moshës 12-vjeçare të ulej në ulësen e shoferit për ta drejtuar automjetin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas veprimeve operative dhe hetimore të ndërmarra nga Stacioni Policor në Malishevë, personi është identifikuar dhe ndaj tij janë shqiptuar masat e parapara me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Përveç gjobës prej 400 eurosh, atij i janë shqiptuar edhe pesë pikë negative, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të së drejtës për të drejtuar të gjitha mjetet motorike për një periudhë gjashtëmujore.
Policia Rajonale në Gjakovë u ka bërë thirrje prindërve dhe të gjithë drejtuesve të automjeteve që të mos u lejojnë personave të mitur ose të paautorizuar drejtimin e automjeteve, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.