Një person është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur sonte në Pejë.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë, së bashku me të gjitha njësitë relevante.
“Dy prokurorë janë në vend të ngjarjes dhe të gjitha njësitë relevante. Dyshohet për të shtëna me armë zjarri në Pejë. Një person, si pasojë e të shtënave, është plagosur. Më shumë nuk mund të jap detaje për momentin”, ka deklaruar Nikçi.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se policia është njoftuar rreth orës 22:36 për një plagosje të dyshuar në qytetin e Pejës.
“Rreth 22:36 policia ka pranuar informatën për një person të plagosur në rrugën “Mbreti Pirro” në Pejë”, ka deklaruar Gashi.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për lokalizimin e personit të dyshuar.