Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka dhënë sqarime lidhur me rastin e ndodhur mbrëmë në Prizren, ku një person ka mbetur i lënduar gjatë punimeve në një objekt privat.
Sipas IQP-së, pas njoftimit nga Policia e Kosovës, inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar rrethanat e rastit.
“Mbrëmë, rreth orës 19:00, pas njoftimit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës. Nga të dhënat fillestare rezulton se viktima nuk ka qenë punëtor”, thuhet në njoftimin e IQP-së.
Sipas këtij institucioni, aksidenti ka ndodhur në një shtëpi private, ku po kryheshin punime për renovimin e kulmit.
Vdes një person pasi ra nga kulmi i një shtëpie në Prizren, arrestohet punëkryesi
“Aksidenti ka ndodhur në një shtëpi private, ku po kryheshin punime për renovimin e kulmit, ndërsa viktima nuk ishte i angazhuar në procesin e punës, por ishte vëllai i pronarit të shtëpisë”, sqaron IQP.
Inspektorati ka bërë të ditur se gjatë verifikimeve nuk është konstatuar ekzistimi i marrëdhënies kontraktuale apo i marrëdhënies së punës sipas përcaktimeve ligjore.
“IQP ka konstatuar se nuk ka ekzistuar marrëdhënie kontraktuale investitor–punëkryes, si dhe nuk ka pasur marrëdhënie pune, sipas përcaktimeve ligjore”, thuhet në sqarim.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.