Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka nxjerrë vendim për shpalljen “persona non grata” të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratës së saj për “spastrimin etnik” të Kosovës.
Sveçla tha se Paunoviq është shpallur person i padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës apo kalimit tranzit përmes saj, njofton Dukagjini.
“Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës. Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla.